Takimi me kreun e Parlamentit të Austrisë, Basha flet për objektivin e PD: Qeveria kujdestare pa Ramën kryeministër...

Saturday, 07 Mars 2020 14:07

Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë. Basha teksa i shprehu zyrtarit përkrahjen e plotë të opozitës për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, e falenderoi Presidentin për kontributin e Austrisë në ndihmë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Kryetari i Opozitës i shprehu Presidentit Sobotka besimin se Republika mike e Austrisë do të luajë një rol aktiv mbështetës për hapjen e negociatave me Shqipërinë gjatë presidencës Kroate.

Gjatë takimit, Sobotka shprehu interes dhe u informua lidhur me qendrimet e Partisë Demokratike dhe opozitës së Bashkuar përsa i përket situatës së krizës politike e institucionale në Shqipëri, perspektivës europiane të vendit, reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, gjendjes së shtypit të lirë, si dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Partisë Demokratike i prezantoi presidentit Sobotka shqetësimet e opozitës lidhur me mungesën e demokracisë funksionale në vend, kapjen e shtetit, mosfuksionimin e institucioneve, mungesën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, rënien ekonomike, shpopullimin e Shqipërisë, si dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit.

Kryetari Basha dhe Kryeparlamentari Austriak patën dakortësi të plotë se udhërrëfyesi më i mirë për daljen nga kriza e thellë politike e institucionale që po kalon vendi, por edhe për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut. Kryetari Basha e informoi Kryeparlamentarin Sobotka lidhur me angazhimin e plotë të Partisë Demokratike për të realizuar detyrimet e saj në raport me kushtet e mësipërme, me qëllim hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Presidenti Sobotka shprehu bindjen se reforma zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për gjendjen që po kalon vendi, si dhe për perspektivën e mëtejshme. Ai e siguroi Kryetarin Basha për vemëndjen e tij dhe të Austrisë ndaj rolit dhe qendrimeve të opozitës në Shqipëri. Ndër të tjera Kryeparlamentari austriak nënvizoi rolin e medias në shoqëritë demokratike duke theksuar gjatë takimit se në Shqipëri duhen bërë përpjekjet maksimale për fuqizimin e medias së lirë dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe se çdo përkjekje në të kundërt do të ishte në dëm të interesit të vendit.

Modifikuar më Saturday, 07 Mars 2020 14:55
Login to post comments