Kryeministri Edi Rama, nga shtëpia e tij në Surrel, i ka dërguar një mesah qytetarëve shqiptarë, ku i ka kërkuar të armatosen me durim e shumë durim, sepse lufta e përbashkët kundër koronavirusit nuk dihet se sa do të zgjasë.
Nën kakarisjen e gjelave dhe zërave të zogjve të fshatit, Rama tha se po përgatitej një draft ligjor sanksionesh kundër atyre që do të abuzojnë gjatë këtij "shtetrrethimi" në vend.
Fjala e plotë e Ramës:
Përshëndetje nga Surreli të dashur miq!
Shumë faleminderit për mirëkuptimin fantastik që po tregoni. Rastet e shkeljeve sot në Tiranë dhe në Durrës kanë qenë aq minimale sa që me 0,01% shkelje, në raport me një milion banorë që jetojnë brenda këtij perimetri të metropolit, duhet të ndihemi shumë mirë për ndihmën e jashtëzakonshme që po i japim njeri tjetrit.
Do të jetë një luftë e gjatë, që do të na duket shekullore, ngaqë nuk jemi mësuar të rrimë në shtëpi, të mos lëvizim me makinë, të mos ulemi me orë në kafene, të mos takojmë njeri-tjetrin, të mos shkojmë të shohim nënë e babë kur jetojnë me vetë e me radhë e me radhë.
Por nuk ka asnjë rrugë tjetër nëse nuk duam dhe nuk duam me këmbët tona si cjapi tek kasapi kur i thonë asaj fjale nëse nuk duam të bëhemi bashkëfajtorë në lëndimin apo largqoftë, në humbjen e të afërmëve te miqve tanë, ne do të qëndrojmë në këtë rrugë.
Do të luftojmë me forcën e zakoneve të jetës normale. Nuk kemi opsion tjetër përveçse t’í mundim, zakonet e jetës normale duke armatosur veten me durim dhe duke kërkuar e gjetur pozitivistet duke qëndruar tek shtëpia, me familjen, fëmijët, prindërit kur i kemi dhe ata pranë nën një çati.
Sot që flasim, numri i të prekurve ka arritur në 33 dhe duhet të dimë që do të vazhdojë të rritet sepse siç na e shpjegon evidenca botërore, kurbën e epidemisë së koronavirusit, nuk kemi në dorë ta ndalim, por vetëm ta ngadalësojmë me masa shtrënguese dhe në luftë me zakonet e jetës normale.
Masat shtrënguese do të përshkallëzohen prandaj duhet ta ndajmë mendjen mirë që as mund t’í sfidojmë as mund t’i diskutojmë por vetëm t’i zbatojmë ato.
Ja ku më keni dhe mua, hyr e dil nga jashtë shtëpisë në ballkon sepse jo vetëm që s’ka ofiq e as gjatësi që na dallon në këtë mes, por edhe shoferët e truprojat nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të lënë familjet e tyre nëse asnjë urgjencë e jashtëzakonshme s’më detyron mua të dal me ata.
Fatmirësisht unë jam mësuar të punoj shumë online me ministrat dhe bashkëpunëtorët dhe përveç punës nuk mund duket aspak keq të kaloj me Zahon kohë që nuk kam pasur kurrë mundësi ta kem kështu siç e kemi sot që kur ka lindur.
Zakonisht ju ndjek dhe juve, po tani jo nga makina, por nga shtëpia, duke u futur në këtë faqe për të lexuar çfarë thoni si po kaloni çfarë shqetësimesh keni.
Më vjen mirë që shumica juaj thuajse të gjithë në fakt e keni mirëpritur këtë shtetrrethim – le të themi - të tre ditëve dhe dy netëve në Tiranë dhe në Durrës. Nuk rri dot e pa e thënë më vjen mirë që edhe vlonjatet nuk e kanë shkelur më shumë se sa të tjerët; veç fare pak rregullin e moslëvizjes me makinë në qytet.
Por e përsëris, ky është vetëm fillimi fare i një lufte nervash që do të zgjasë. Askush nuk e di dhe nuk e thotë dot sa do të zgjasë, por nuk do të jetë një histori shumë e shkurtër dhe as shumë e lehtë. Përkundrazi.
Ndaj më shani dhe mallkoni mua sa të doni, por masat do të përshkallëzohen bashkë me ndëshkimet. Për shembull: kush do të kapet në qarkullim, në thyerje të rregullores se emergjencës mund ta humbasë patentën përfundimisht. Dhe të ndalohet për disa vjet të hyjë në kurs për ta rimarrë!
Ose kush do të luajë të zgjuarin me çmimet e ushqimeve e të barnave mund ta humbasë përfundimisht të drejtën të tregtojë ushqime e barna e me radhë.
Ka një sërë sanksionesh të reja që po përgatiten për të përballuar dezertorët e mundshëm që në vijim mund ta humbasin luftën e nervave dhe të kujtojnë gabimisht se mund t’ia hedhin po të shkelin rregullat.
Në asnjë mënyrë jo! Por le të mos flasim në këtë moment për masat dhe sanksionet që do t’i shoqërojnë po le t’i gëzohemi manifestimit fantastik të solidaritetit ku po marrim pjesë të veçuar nga njeri tjetri si kurrë më parë dhe të bashkuar në një qëllim me njeri - tjetrin pa asnjë dallim.
Super, super!
Ju përqafoj nga larg, lani duart, hapni dritaret, kujdesuni për të moshuarit dhe armatosuni deri në dhëmbë me durim, durim dhe vetëm durim.