Koronavirusi/ Shqipëria rrezikon recesion të madh ekonomik
15:27, 13/03/2020
Konfindustria vlerëson, se pasojat e pandemisë botërore COVID 19, që ka përfshirë edhe Shqipërinë, mund të jenë mjaft të rënda në afatgjatë për ekonominë, bizneset dhe qytetarët.
Sipas vlerësimit paraprak, nëse gjendja e jashtëzakonshme vazhdon për 30 ditë dhe nuk ndërmerren masa zbutëse të pasojave Shqipëria rrezikon të kalojë në recesion teorik me rritje ekonomike negative/nen 0% të PBB në vitin 2020.
Deklarata është bërë nga administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.
‘Sa më sipër e bën të domosdoshme, që masat e detyrueshme shtrënguese të qeverisë për përballjen e epidemisë të jenë të mirëmenduara, në përpjesëtim me rrezikun real dhe njëkohësisht të shoqëruara me përllogaritjen e faturave përkatëse financiare për kategoritë e bizneseve të prekura drejtpërdrejtë me akte ligjore.
Gjithashtu, është e nevojshme, që të mos krijohet në mënyrë subjektive gjendje paniku psikologjik shtesë te qytetarët dhe bizneset. Përndryshe rrezikohet, që në mënyrë të pakthyeshme të falimentojnë një numër i madh biznesesh, goditje afatgjatë të ekonomisë dhe përkeqësim të nivelit të jetesës së qytetarëve shqiptarë.
Masa më e shpejtë dhe e detyrueshme që mund të ndërmerret në kushtet e tanishme është ulja e çmimit të karburanteve në tregun vendor. Përmendim, që çmimi i naftës në tregjet botërore ka kohë që ka zbritur në nivelet më të ulta historike, ndërkohë që nuk është pasqyruar në tregun shqiptar ndryshe nga gjithë vendet e Rajonit dhe BE.
Në vlerësimin e mësipërm për pasojat e pritshme në ekonomi të epidemisë së COVID 19 përllogariten edhe - rënia e pritshme e të ardhurave/remitancave nga emigracioni, - rënia ekonomike e partnerëve tregtarë më të rëndësishëm si Italia, Kina, por edhe vendet e tjera të BE dhe më gjerë, - prodhimit i ulët i energjisë elektrike, - pasojat e tërmeteve të shtatorit dhe 26 nëntorit 2019, - rënia e çmimit etj.
Numri i sektorëve të ekonomisë të prekura është mjaft i gjerë dhe do të vazhdojë të rritet me zgjatjen e kohës së gjendjes së jashtëzakonshme. Sektorët më të prekur do të jenë ndërtimi, hoteleria, transporti, shërbimet, etj. Gjendje të vështirë si pasojë e mungesës së përkohshme të likuiditetit financiar do të ndjejnë industritë minerale, naftë dhe manifaktura/ fasoneve.
Është e mundshme, që një pjesë e ndjeshme e bizneseve të prekura të mbyllen dhe dalin përfundimisht nga tregu’, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.