Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka ndërmend të pezullojë pagesat e faturave të ujit dhe dritave në këtë kohë krize.
Sipas tij, ky vendim do e çonte në gropë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë.
“Ne mezi e kemi ngritur atë sektor nga gërmadhat se duhet për sot e për nesër, për në mars, prill, qershor e për në korrik e shtator. Nëse ne vendosim që mos paguhet energjia, atëherë vendosim që ta bëjmë Shqipërinë black out pas disa muajsh sepse e çojmë kompaninë e shpërndarjes në pamundësi likuiditeti përshembull,” tha Rama.
Por kryeministri harroi të tregonte përpara shqiptarëve se ai e ka çuar në gropë këtë sektor që përpara se të vinte kjo krizë.
Kështu, edhe pse paguajmë çmimin më të lartë të energjisë në rajon, në fillim të këtij viti u raportua se OSHEE e ka mbyllur vitin 2019 me rreth 64 milionë dollarë humbje.
Si për të treguar se kryereforma e Ramës ka dështuar, para pak ditësh u raportua se vjedhjet e energjisë janë rritur ndjeshëm.
Sipas një raporti të INSTAT, ‘humbjet joteknike’ të OSHEE janë rritur me 13 përqind gjatë vitit të shkuar.