Dje gjithë ditën e deri vonë në darkë, miq e të njohur me pyesnin: "A mundet shteti të ndalojë pagesat e qerasë sipas kontratave"?
Përgjigja e kësaj pyetje është thjesht Jo! Në asnjë rrethanë, të zakonshme apo të jashtëzakonshme, qeveria nuk ka shans as të drejtë të ndalojë zbatimin e kontratave private ndërmjet shtetasve dhe/ose bisneseve private.
Kontrata është instrument i të drejtës private. Si e tillë ajo ndërtohet dhe zbatohet nga vullneti i palëve.
Vullnetin e palëve jo qeveria, po as zoti në qiell nuk e vë dot në dyshim!
Edhe qeveria lidh kontrata me privatë, por nuk e urdhëron dot veten të mos paguajë shërbimin, apo të mos mbledhë qeratë nga pasuritë publike. E pra, kur nuk e bën për vete me çfarë llogjike(ligj jo e jo) e bën për palët private?!
Mirëpo, ky arsyetim vlen për rastin ku në shoqërinë me shtet sundon ligji. Vlen në ato shtete ku Kushtetuta është ligji themelor që prevalon edhe kur vendi gjendet në emergjencë.
Për fat të keq Kushtetuta dhe ligjet normative të shtetit kanë kohë që nuk sundojnë. Ato janë zëvendësuar,nga pak e çdo ditë(sot totalisht), nga urdhëri, porosia, akti normativ abuziv e deri edhe nga ligje speciale me natyrë individuale, tipike kjo sjellje e shteteve diktaturë!!!
Sundimi kushtetues ra formalisht ditën që u ekzekutua Gjykata Kushtetuese. Në fakt kishte kohë që kishte nisur rënia, që kur qeveria sulmoi gjykatat, kolegjialiteti u zëvendësua nga prijësi,politika mbyti shtetin...
Por, vini re me vemendje, pas ekzekutimit të Gjykatës Kushtetuese sulmi i qeverisë nga pronës private, ekonomisë së tregut të lirë dhe lirive e të drejtave të njeriut ka qenë e mbetet i ashpër. I hapur fare dhe pa asnjë frikë!
Sot kjo situatë është më e dushme, falë këtij virusi. Për fat të keq njerëzit nuk i vënë rëndësi devijimeve kushtetuese kur ato ndodhin, por fillojnë të reagojnë kur bëhen mullar dhe u bie në kokë.
Kur njerëzit tolerojnë devijimet, ato bëhen ligj, normë sjellje!
Ndaj tashmë nuk ka asnjë çudi se ku e gjen kurajon qeveria të sulmojë pronën private, të drejtat që burojnë prej saj dhe liritë e të drejtat në tërësi.
Hiç mos u çudisni! Do dëgjoni thagma të tjera si kjo. Ç'është më e keqja nuk do ketë më instrumente të mbrojtjes ligjore!!!
Ato që janë, pra gjykatat e rrudhura nga presioni, mos mendoni se kanë fuqi ta ndalin këtë situatë krejtësisht jashtë Kushtetutës dhe sundimit të ligjit. As SPAK. As marinsat e ushtria e NATOS...
Unë kam bindje se është koha për të aktivizuar instrumentat politike të shoqërisë.
Sundimtarët nuk ndalohen më me ligj. Ndaj mos u lodhni hiç të gjeni mbrojtje tek ligji që për më tepër nuk ekziston më!
Unë ende shpresoj tek VOTA. Revolucionet më trembin njësoj si sundimtari i sotëm!
Shoqëria ka nevojë për një ristart të shtetit demokratik, që duhet të fillojë nga liria per te zgjedhur, jo thjesht nga e drejta për të votuar.
Ende shpresoj!
Ndërkohë merreni shtruar këtë marifetin qeveritar të kontratave të qerasë. Mos u zini me njëri-tjetrin, por gjeni fjalët e duhura të mirkuptimit.
Qeraja do paguhet, në mos sot pak më vonë, por do paguhet!