Shkrimtarja e njohur Flutura Açka tregon qasjen e ndryshme mes menaxhimit të situatës në Shqipëri dhe në Holandë në këtë kohë pandemie COVID-19. Ajo aktualisht po jeton atje dhe në një bisedë në skype me emisionin “Tempora” bën një paralelizëm mes dy botëve.
Flutura Açka: "Në Holandë, del kryeministri i qeverisë një herë në javë, jo çdo sekondë, e thotë për masat që janë vendosur në kolegjialitet, Ushtria është përdorur vetëm 5 minuta. Ushtria u vendos në shërbim të jetëve, jo në rolin e gogolit, për të trembur qytetarët. Pamja që pashë me makina ushtarake e tanke në Tiranë është absurde".
Nuk mund të lërë pa shprehur brengën kur sheh Tiranën sot nëpër rrugët e së cilës po patrullojnë tanke e makina të rënda ushtarake.
Flutura Açka: “Tirana, qyteti im i dashur dhe i yti është i pajetueshëm. Këtu rreth meje ka 10 parqe të vegjël ku unë mund të dal e të marr frymë si njeri. Pallatet kanë largësi të mjaftueshme, po ne çfarë i kemi bërë Tiranës? Kjo është çështja më e madhe. Përse ne kemi bërë atë Tiranë që sot detyrohemi të nxjerrim tanke”.
Tërheq vëmendjen tek fjalori që përdoret në një kohë kaq të trishtueshme
Flutura Açka: “Ka njerëz që janë një muaj në Shqipëri të mbyllur, fëmijë e të moshuar që vuajnë nga sëmundje dhe që kanë nevojë për pak ajër. Në këto kushte izolimi ,por dhe varfërie, t'i dominosh me të tillë fjalor, si ndëshkime, burg, gjobë nuk është e drejtë. Kjo atmosferë nuk ekziston në Holandë. Kryeministri, ministrat dhe qeveria ndihen në shërbim të njerëzve. Qeveria fton për bashkëpunim, nuk detyron”, tregon shkrimtarja shqiptare Flutura Açka ndërsa nënvizon se problemin akut, gratë e dhunuara.
“Ne nuk dimë sa gra na dhunohen brenda katër mureve. Gjuha duhet të jetë shumë e matur për çdo qytetar, sado i pabindur të jetë, i paedukuar, duhet të gjendet konsensus jo fyes..jo fjalor i ngarkuar..është e tepruar.”