Peter Tiede, gazetari që po i bëhet makth Edi Ramës

E mërkurë, 22 Prill 2020 13:37

Peter Tiede, gazetari gjerman i gazetës më të madhe në Europë, BILD, dha një intervistë për gazetarin Adi Krasta në SYRI TV, duke thyer rekorde audience. Paralajmërimet e tij ishin bombastike. Edhe pse Edi Rama është zbythur nga padia për përgjimet skandaloze të vjedhjes së zgjedhjeve, Tiede tha se ishte paditur gazeta dhe jo ai. Tiede tha se ishin përgatitur me dëshmitarë dhe prova të reja për gjyqin me Ramën, por ky i fundit u zbyth. Tiede shtoi se kishte dashur të përballej me Ramën në gjyq. Në fund, Tiede tha se do të vazhdojë investigimet e tjera në Shqipëri, duke bërë premtimin e fortë: Tani do ndjekim gjurmën e parave! Po kush është Tiede? Më poshtë një profil nga Mapo.

Peter Tiede nuk para i refuzon intervistat në mediat shqiptare. Por për gjermanin, koncepti i gazetarisë është ndryshe: gjithmonë në kërkim të së vërtetës. Nëse ka prova, atëherë atij nuk i intereson aspak relativizimi që i bëjnë gjithçkaje në Shqipëri të shtrirë nëpër kolltukët televizivë. Në Gjermaninë e tij kjo gazetari dembele e studiove televizive bëhet më shumë për argëtim. Dhe ne kemi një kryeministër kryeargëtues. Por kjo nuk është gazetaria që bën Bild, që nuk e ka bërë as vetë Tiede ndonjëherë. Ai e di se gazetaria në Shqipëri është në pikë të hallit (nuk ka si të jetë ndryshe në një narkoshtet). Nëse këto materiale që po publikon do lidheshin me qeverinë gjermane, ai thjesht do numëronte orët deri te deklarata e dorëheqjes. Por kjo është Shqipëria dhe ndonjëherë më shumë se Peteri, na duhet Shën Pjetri.

***

Profili i Peter Tiede në Facebook ishte thuajse i fjetur deri në momentin kur bëri postimin e parë për Shqipërinë. Ajo që pasoi ishte një valë me komente, duke i treguar edhe njëherë gazetarit të guximshëm gjerman, se kishte trazuar një fole të rrezikshme. Për gazetarin e Bild, gjërat vetëm sa do bëheshin më emocionuese. Tek e fundit, a nuk është vetë kryeministri Edi Rama që thotë se vende si Gjermania janë thjesht të mërzitshme, kurse kaosi dhe energjia shqiptare janë fantastike. Problemi është se e gjithë kjo energji po shpenzohet për keq: për të ngritur të parën republikë të drogës në Europë. Shqipëria e Edi Ramës po regjistrohet në histori si i pari narkoshtet në kontinentin e vjetër. Koha do na i hapë sytë më shumë, por kjo damkë është kaq e rëndë, sa edhe gjermanit Tiede i ka bërë përshtypje.

 

***

“Dëgjojeni vetë: kështu i blen mafia votat në Shqipëri”, u shkruan Tiede në gjuhën e nënës shqiptarëve. Ky nuk është i pari komunikim që po bën në shqip në rrjetet sociale. Loja që ka nisur nuk duket e lehtë, por vetë Tiede thotë se është gati, edhe pse nuk ka dashur kurrë të jetë gazetar.

Tiede lindi në vitin 1970 në një qytezë të vogël me mbi 2 mijë banorë, të quajtur Mejenburg. Në atë kohë, qyteza me një histori të pasur, e cila ka prodhuar jo pak mjekë dhe inxhinierë, ishte pjesë e Gjermanisë komuniste. Kushdo që dëshiron ta vizitojë, mund të gjejë aty disa kisha, një kështjellë të vogël, disa memoriale dhe mbi të gjitha shumë kuaj.

Jeta në komunizëm do i ketë mësuar disa gjëra të rëndësishme për lirinë. Jo më kot Tiede e thekson disa herë se ai jeton në një vend të lirë, ku gazetaria është e lirë.

Por Mejenbergu ishte i famshëm që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore për diçka tjetër: për mobiliet. Në vitin 1946 aty u hap një prej mobilierive më të mëdha në Gjermaninë lindore (Republika Demokratike Gjermane). Thuajse të gjithë banorët ishin të angazhuar në prodhimin e mobilieve në një punishte me sipërfaqe mbi 4 mijë metra katrorë.

Tiede nuk bënte përjashtim. Në jetëshkrimin e tij në Bild thuhet se ai bënte një punë të zakonshme: teknik i specializuar në përpunimin e drurit. Më së shumti, në këtë mobilieri prodhoheshin raftet e famshme ‘Billy’, të gjigantit suedez IKEA.

Rënia e komunizmit bëri që Tiede të bënte punën që bën edhe sot e kësaj dite. Pas revolucionit paqësor në Republikën Demokratike Gjermane, ai mundi të bëhej në Gjermani atë që nuk donte ta bënte kurrë më parë: gazetar, shkruan Bild.

Trajnimin për gazetar e kreu në një gazetë lokale të Potsdamit, të quajtur ‘Maerkische Allgemeine Zeitung’. Pasi përfundoi trajnimin nga viti 1990 deri në vitin 1992, punoi si redaktor lokal.

Pavarësisht se ishte një gazetë në landin e Brandenburgut, tirazhi i saj ishte i lartë dhe këtu Tiede nisi karrierën si gazetar investigativ.

Në vitin 1997 Tiede do merrte çmimin e tij të parë në gazetari. Ai do vlerësohej me titullin “Gardian i shtypit”.

Ky ishte momenti kur Tiede do lëvizte drejt mediave më të mëdha. Një reportazh rreth asaj që njihet si Dhoma e Qelibartë në Gjermani e katapultoi në revistën më të madhe jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë. Te Spiegel ai punoi për dy vjet.

Më pas u bë këshilltar dhe më pas për një kohë punoi edhe si gazetar i lirë. Po ashtu, ishte edhe kryeredaktor i një gazete të Potsdamit.

Që prej vitit 2014 e në vazhdim ai është korrespondent i të përditshmes më të madhe gjermane, Bild, për politikat federale.

***

Tiede është në të vërtetë gazetar i politikës së brendshme gjermane. Nëse sheh artikujt e fundit që ka publikuar në Bild, ato janë rreth situatës politike në Gjermani. 

Por përse Tiede u mor edhe me Shqipërinë? Këtu shqiptarët, si mjeshtra të teorive konspirative, mund të thonë se tashmë çështja e krizës shqiptare po kthehet në një problem të politikës së brendshme gjermane. Duket më shumë si fantazi. Praktika e gazetarëve të huaj e kërkon që të ‘thyejnë’ ritmin e punës së zakonshme me investigime, reportazhe, udhëtime jashtë vendit etj.

Këtë herë në fokusin e Tiede ishte Shqipëria dhe ky rezultoi një lajm i mirë për vendin tonë dhe për shqiptarët. Gjuha e Bild, gazetës që ka ndërtuar dhe rrënuar karriera politike në Gjermani, ishte ajo që i duhej vendit në këto momente: e drejtpërdrejtë dhe e qartë.

Gazetaria e Bild ishte ajo që na duhej tani, e guximshme dhe e pasur në burime, jo vetëm gazetareske, por edhe financiare. Një industri që nuk di të bëjë hapa pas në rrugën e saj, ku parimi kryesor është mbrojtja e vlerave kryesore të demokracisë.

Çdo spekulim për qëndrimet e kësaj gazete nga trollët e qeverisë vetëm sa nxjerr në pah se plaga po dhemb tani që operohet. Gjuha e ashpër e Bild, që shpesh e tejkalon edhe atë të opozitarëve në median dhe politikën shqiptare, e ka një qëllim konkret: ajo kërkon të frymëzojë njerëzit, t’i trimërojë duke iu thënë se tani është momenti.

Tiede është një nga ata heronj që nuk veshin pelerina, por ai po tregon se gazetaria jo më kot njihet si pushteti i katërt. Sepse ajo flet për të vërtetën.

Ndaj është momenti për t’i thënë me plot gojën: Danke Herr Tiede!

Login to post comments