Gafë apo e qëllimshme? Rama ngatërron raportet e Freedom House

E mërkurë, 06 May 2020 17:40

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas publikimit të një raporti nga Freedom House, ku thuhet se demokracia në vend po pëson rënie. Madje Shqipëria po udhëheq rënien në rajon.

Rama u tregua i ashpër në reagimin e tij, por bëri një gafë të rëndë.

 

“Shqipëria është vendi me indeksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ka një indeks të lirisë prej 67 pikësh,” shkroi Rama

Se ku e gjeti këtë renditje me 67 pikë, kjo nuk dihet.

Raporti, që është një shuplakë e rëndë për shkak të zgjedhjeve moniste të 30 qershorit dhe gjendjes skandaloze të drejtësisë, ka një tjetër renditje. Shqipëria ra nga 3.89 pikë në vitin 2018 në 3.82 pikë në raportin e vitit 2019 në një shkallë nga 1 në 7 ku 1 përfaqëson nivelin më të ulët dhe 7 nivelin më të lartë.

Atëherë u kuptua se Rama flet për një raport tjetër, që është publikuar në mars të këtij viti. Ai bën renditje deri 100.

Këtë e bëri të ditur edhe Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, është autor i kapitullit për Shqipërinë.

“Bëhet fjalë për 2 raporte të ndryshme të së njëjtës organizatë - Freedom House (FH).

Raporti të cilit i referohet Kryeministri Rama është "Freedom in the Ëorld 2020" dhe është publikuar me datën 4 mars 2020 (para 2 muajsh).

Raporti, i cili është publikuar sot (6 maj 2020) nga FH është "Nations in Transit 2020".

Nuk dua te paragjykoj shkaqet e këtij konfuzioni dhe as të komentoj keqkuptimin e stafit të Kryeministrit, por e ndjej si detyrim këtë shpjegim.

Raporti "Nations in Transit 2020" vëren se demokracia në Shqipëri ka pësuar rënie, e cila vjen si pasojë e përkeqësimit të 2 dimensioneve - "Qeverisja demokratike në nivel kombëtar" dhe te "Proceset elektorale". Arsyet dhe analizën e plotë do të mund t'i gjeni në raportin për Shqipërinë, i cili do të publikohet i plotë besoj në ditët në vazhdim,” shkruan Vurmo.

A është kjo një gafë nga Edi Rama apo është e qëllimshme? Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, Ramës nuk i bëhet vonë për gjendjen e demokracisë në vend.

Login to post comments