Presidenti Meta:Apeloj për të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH për lirinë e besimit

E Enjte, 11 June 2020 11:31

Presidenti Meta: Mbrojtja e integritetit të Gjykatës Kushtetuese, DETYRË MBI DETYRAT!
Presidenti i Republëkës, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për lirinë e besimit.
Mes të tjerash, Kreu i Shtetit apelon që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.

Reagimi i plotë i Presidentit Meta

E përshëndes raportin realist të DASH mbi liritë e besimit 2019 për Shqipërinë, dhe e çmoj me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë.
Ndaj të njëjtat konkluzione me gjetjet e raportit, ku evidentohen shqetësimet e komuniteteve fetare për moskthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, si dhe vështirësitë për marrjen e lejeve nga disa autoritete lokale për ndërtimin e institucioneve të kultit.
Apeloj që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH, veçanërisht lidhur me trajtimin e pronave dhe pengesat administrative e burokratike të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.
Ky proces, do të ndikonte në forcimin e pavarësisë të komuniteteve fetare dhe do t’i mbante ato larg ndikimive të huaja, që synojnë dëmtimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Duhet një reagim energjik dhe i sinqertë, institucional shtetëror për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës së komuniteteve fetare duke u dhënë fund praktikave burokratike dhe korruptive.

Login to post comments