Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëron se Kryesia e partisë së tij do të marrë nesër një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare.
Në një reagim në Facebook, Basha thotë se me mbështetjen e shumë faktorëve ndërkombëtarë PD ka garantuar parimet dhe rregullat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të anëtarësisë në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
Teksa ka shprehur falënderimet për Drejtuesin e Panelit Parlamentar për Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike dhe Drejtorin e Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan, kryedemokrati thotë se së bashku ata kanë ndarë besimin modeli që do të miratohet ditën e nesërme do të kontribuojë për demokratizimin e jetës politike dhe duhet të jetë shembull edhe për partitë e tjera në vend.
NJOFTIMI
Nesër kryesia e Partisë Demokratike do të marrë një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri.
Me mbështetjen dhe ndihmën e vyer të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), pranë Partisë Republikane të SHBA dhe të Partisë Konservatore Britanike e Fondacionit Uestminster për Demokracinë kemi garantuar parimet dhe rregullat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të anëtarësisë në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
Një ditë përpara këtij vendimi të rëndësishëm, pata kënaqësinë të falenderoj gjatë një videokonference z. David Jones, Drejtuesin e Panelit Parlamentar për Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike dhe z. Thibault Muzergues, Drejtor i Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë në këtë rrugëtim sfidues.
Miqtë tanë ndanë me mua sot besimin se modeli që do të miratojmë nesër në kryesinë e Partisë Demokratike, do të kontribojë për demokratizimin e jetës politike dhe duhet të jetë shembull edhe për partitë e tjera në vend.
Ky është një hap i rëndësishëm për demokracinë tonë. Natyrisht gara e vërtetë për demokratët dhe opozitën nis pas këtij procesi, për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri që punon për njerëzit, dhe jo për vete.