Përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik, Petrit Vasili, përgënjeshtroi përfaqësuesin e maxhorancës, Damian Gjiknuri, ndërsa ky i fundit u shpreh se opozita nuk është dakord që të flasë për listat e hapura në Këshillin Politik.
Vasili tha për mediat se opozita e bashkuar ishte njohur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese para dy ditësh, ndërsa afati kohor i lënë në dispozicion ishin 6 ditë.
Sipas Vasilit, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë në 6 ditë.
“Një çështje tjetër që është hedhur në Këshillin Politik kanë qenë dhe ndryshimet kushtetuese. Që kanë të bëjnë me të ashtuquajturat lista të hapura. Propozimi, fakt i kryer, është depozituar para 2 ditësh në këshill. Dhe ky diskutim është imponuar që të kryhet brenda 6 ditësh. Nëse për kodin elektoral, marrëveshjen e 5 qershorit, u deshën 6 muaj, kërkohet që kushtetuta e vendit të ndryshohet për 6 ditë. Këshilli Politik dhe opozita në Këshill mbetet e palëkundur që të diskutojë çdo çështje, por pa logjikën e faktit të kryer, pa trysni dhe duke i dhënë hapësirë debatit. Keni parë që në emër të popullit, të vullnetit të tij, flasin hajdutët e votave të popullit”, tha Vasili.