Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi PS nuk pranoi propozimin e Opozitës së Bashkuar për hapjen 100% të listave.
Me një shënim në Twitter, Bardhi i bën thirrje Ramës që të pranojë propozimin për hapjen 100% të listave dhe të “tërheqë amendamentin e njëanshëm nga koalicioni opozitar”.
Sipas Bardhit, “frika e Ramës nga zgjedhjet”, nuk do të mund të mbajë peng Shqipërinë.
Përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar propozuan sot në tryezën e Këshillit Politik hapjen 100% të listave, por kjo nuk u pranua nga PS.
Kryeministri Edi Rama reagoi pas kësaj me një shënim të Twitter ku tha: “si e sa do hapen nga jo më pak se 75% në 100% kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut!”
Postimi i plotë i Bardhit:
Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi
Edi Ramës i ra maska! Prano hapjen 100 % të listave dhe tërhiq amendamentin e njëanshëm të tmerrit tënd nga koalicioni opozitar. Frika e ER nga zgjedhjet nuk mund të mbajë peng Shqipërinë! #Ditemetemira