Pas publikimit të mesazheve të Erion Veliajt për pronarin e Oraneës Ylli Ndroqi, ku kërcënohej dhe ofendohej gazetarja Beti Njuma, ka reaguar Këshilli Shqiptar i Medias. Organizata i kërkon Veliajt të kërkojë falje ndaj të gjithë gazetarëve për ato mesazhe, ndërsa vë në dukje se prokuroria duhet të hetojë mbi autenticitetin e tyre. Sipas Këshillit Shqiptar të Medias, vetë gazetarët duhet të reagojnë në mbrojtje të koleges së tyre.
Më poshtë, reagimi i plotë:
Këshilli Shqiptar i Medias, bashkë me gazetarët dhe mediat partnere, PROTESTON fuqimisht lidhur me skandalin e mesazheve të drejtuara pronarit të Ora Neës, z. Ylli ndroqi nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.
Siç raportohet, mesazhet janë mb 1 një vit të vjetra, dhe nuk kanë lidhje me situatën e sekuestros ndaj z. Ndroqi të javëve të fundit. Mesazhet, përveçse fyerjeve personale e profesionale ndaj një gazetareje, janë presion i hapur për të ndryshuar linjën editoriale dhe ndërhyrje jo vetëm imorale, por dhe e paligjshme në pavarësinë e medias.
Këto mesazhe tregojnë dhe mënyrën kërcënuese me të cilën trajtohet media dhe presionin mbi të cilin vihen gazetarët shqiptarë nga funksionarët e zgjedhur, si Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ato paraqesin një frymë thellësisht anti-europiane dhe autokratike të menaxhimit të PR-it nga ana e z. Veliaj.
KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Veliaj, të prononcohet mbi autenticitetin e këtyre mesazheve, dhe të dalë e të kërkojë falje publike, jo vetëm para gazetares Njuma, por dhe ndaj komunitetit të gazetarëve.
KSHM i kërkon organeve përgjegjëse të Drejtësisë të hetojnë urgjentisht autenticitetin e këtyre mesazheve, të cilat, në rast se porovohen të vërteta, shkelin rëndë Kushtetutën e Shqipërisë nga një funksionar i zgjedhur, dhe dhunojnë lirinë e fjalës e të shprehjes.
KSHM i kërkon kolegëve gazetarë, që pavarësisht qendrimit politik, të prononcohen fort për të mbrojtur jo thjesht një kolege, por vetë profesionin e tyre dhe edhe veten e tyre nga sulme të tilla ndaj lirisë së fjalës dhe të informimit./ Lapsi.al/