I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca ishte shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu.
Balliu është shprehur se arkitekti i vjedhjeve dhe korrupsionit nga ministrat e tij është Edi Rama.
"Mendoj se është e qartë se të gjitha akuzat e ngritura nga opozita dhe nga shumë gazetar që kanë kryer një detyrë të jashtëzakonshme sa i përket aferave korruptive që janë bërë në sistemin e shëndetësisë. Për sa kohë në pranga nuk bien shefat e aferave korruptive korrupsioni do të vazhdojë.
Kjo është një mënyrë për ti hedhur hi syve shqiptarëve që ja drejtësia po vepron duke arrestuar njerëzit dytësor dhe jo shefat. Kompania që ka fituar tenderin e sterilizimit nuk plotësonte asnjë kriter dhe fitoi me ndihmën e Beqajt tenderin 100 milionë euro.
Beqja është në të njëjtën situatë që ishte dhe Ahmetaj përpara tij ndërsa ai shpallet në kërkim ndërsa Beqja nuk arrestohet. Për ti marrë shqiptarët paratë mbrapsh në burg duhet të shkojnë këto persona që janë shefat e inceneratorëve dhe në një korrupsion aq të madh ministri i linjës nuk ka asnjë përgjegjësi sepse pa firmën e ministrit nuk bëhet asgjë. Të gjithë ne e dimë se po të ndërtosh një penxhere pa lejen e bashkisë arrestohesh dhe si është bërë një incenerator pa lejen e Veliajt. Rama është arkitekti i të gjithë vjedhjeve sepse ai i ka vendosur ata persona që po vjedhin në ato poste. Beqja sot është në funksionin e detyrës duke menaxhuar fondet e BE, dhe ti menaxhoi ai fondet është që ti varësh ujkut mëlçitë në qafë."