Reagimi i Beqajt/ VOA: Vendimi i gjykatës evidenton shkeljet ligjore të ish-ministrit të Shëndetësisë

Hënë, 21 August 2023 12:59
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

 

Në Shqipëri, ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi sot se me dy biznesmenët e koncensionit të sterilizimeve spitalore, për të cilin SPAK po zhvillon hetime, nuk ka patur miqësi të veçantë, por i ka njohur vetëm si ministër dhe në zbatim të detyrave shtetërore.

Zoti Beqaj i publikoi komentet e tij përmes Facebookut, dy ditë pasi Gjykata e Posaçme orientoi të SPAK-un, që të shtrijë hetimet edhe mbi përgjegjësitë e tij si ministër gjatë procedurave të koncensionit.
 
 
 
Ish zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, janë në arrest me burg për këtë aferë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
 

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, mohoi sot që të ketë patur ndonjë miqësi të veçantë me dy biznesmenët Ilir Rrapaj dhe Umberto Staccini, një bashkim operatorësh që fitoi 8 vjet më parë koncensionin e sterilizimeve spitalore prej 100 milionë dollarë në 10 vjet, për të cilat po heton Prokuroria e Posaçme SPAK dhe ka kryer disa arrestime nën akuza për mashtrim, faksifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre.

 

Në një reagim përmes Facebook, ish ministri Beqaj, deklaroi se Rrapajn dhe Staccinin i ka njohur pasi është bërë ministër dhe në zbatim të detyrës si anëtar i qeverisë.

 Ai madje theksoi se administratorin Admir Daci të kompanisë koncensionare SaniService, një bashkim i kompanive që përfaqësonin Rrapaj dhe Staccini, e njohu vetëm ditën që ka firmosur kontratën.

“Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me sipërmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam firmosur kontrata me ta. Të udhëtosh nga Tirana në Romë apo në Vienë është gjëja më normale, e nëse rastis që në këto fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë e bashkëpunëtorë, kjo nuk besoj se është indicie për fajësi”, shtoi ish ministri Beqaj.

Ai komentoi përmes Facebook-ut se çështja që është në hetim ka të bëjë me një Partneritet Publik Privat, ku një bashkim operatorësh është kontraktuar për të siguruar pajisje, mjedise dhe veshje sterile për të gjithë sallat operatore në Shqipëri, ku shërbejnë çdo ditë afro 430 mjekë kirurgë.

Ish ministri Beqaj theksoi se kontrata u zbatua me sukses në vite, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimin, në të cilin kontraktori punësoi 250 vetë për të gjithë Shqipërinë, ku shërbehen rreth 60 mijë operacione në vit.

Ai nuk bëri në statusin e tij asnjë koment për faktin se zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe operatori kryesor i koncensionarit, Ilir Rrapaj, janë në arrest me burg, të dyshuar për mashtrime, falsifikim të dokumentave, dhe shpërdorim të detyrës në bashkëpunim, dhe as për faktin se nën të njëjtat akuza janë në arrest shtëpie drejtorët ekonomikë dhe juridikë të ministrisë që ai drejtonte, ndërsa persona nën hetim për të njëjtat akuza janë edhe 4 komisionerët e koncensionit.

Në vendimin për këto 8 masa arresti, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka orientuar Prokurorinë e Posaçme SPAK që të hetojë mbi përgjegjësitë penale dhe shkeljet ligjore edhe për 6 persona të tjerë, ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, dhe për 4 komisionerë të prokurorimit publik.

Vendimi i GJKKO prej 348 fletëve thekson se provat e SPAK-ut, me të cilat janë në arrest me burg Rrapaj dhe Rrjepaj, evidentojnë shkelje ligjore edhe nga dy ish ministrat dhe 4 komisionerët.

Në një kapitull të veçantë gjykata thekson në vendim se ministri është autoriteti më i lartë që drejton dhe mbikëqyr përmbushjen e detyrave në institucion.

Në vendimin e GJKKO-së vërehet se ish ministri Beqaj dhe zëvendës ministri Rrjepaj kishin njohje dhe takime të vazhdueshme qysh nga dhjetori i vitit 2013 me biznesmenin Rrapaj, dy vjet para se ai të fitonte koncensionin e sterilizimeve spitalore.

Sipas SPAK-ut, biznesmeni Rrapaj, ish ministri i Shëndetësisë Beqaj dhe zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj kanë udhëtuar së bashku me avion nga Italia në qershorin e vitit 2014, periudhë që sipas hetimeve përkon me veprimet përgatitore të koncensionit.

Nga hetimet e SPAK-ut të shqyrtuara nga GJKKO me rastin e masave të arrestit, dyshohet se fituesi i këtij koncensioni u paracaktua nga drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë para se të nisnin procedurat ligjore, dhe se operatorët parapërgatitën dokumente dhe përshtatën kriteret ligjore para se të fitonin.

Gjatë hetimeve është vërejtur shkelja e barazisë së konkurrentëve në garë, fryrje artificiale dhe shumëfishim i çmimeve, falsifikim i dokumenteve dhe statistikave, llogaritje të pasakta ekonomike dhe shkelje ligjore, gjë që nxiti dyshimet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Login to post comments