Thellohet skandali i abuzimit me koncesionin e sterilizimit. Ilir Rrapaj ka përdorur të njejtën skemë si Klodian Zoto me inceneratorët. Kompania e sterilizimit, Sani Service, ku Ilir Rrapaj është 40% aksioner, ka paguar kompaninë tjetër të tij, Global Sher me 7 milionë euro për konsulencë. Por duke qenë se kompania e dytë e Rrapajt nuk kishte eksperiencë, ai ka nënkontraktuar kompani të tjera me çmim më të lirë për këto shërbime. Përmes kësaj skeme të paligjshme, Rrapaj ka përfituar më shumë se 6 mln euro.
Syri TV
Të dhënat zyrtare tregojnë se kjo kompani e Rrapajt ka përfituar 696 milionë lekë të reja dhe 320 mijë euro për shërbime që i ka ofruar kompanisë koncesionare “Sani Service”, kryesisht për konsulencë, trajnime dhe mirëmbajtje të aparaturave. Kompania “Global Sher” në pronësi të Rrapajt nuk kishte eksperiencë në asnjë prej këtyre shërbimeve.
Pagesat për nënkontraktorin “Global Sher” të Ilir Rrapajt dhe nën-nënkontrakorët e tjerë të punësuar nga Rrapaj, janë kryer në kundërshtim flagrant me kontratën koncesionare. Kontrata parashikonte se koncesionari “Sani Service” duhet të merrte lejen paraprake nga Ministria e Shëndetësisë për angazhimin e nënkontraktorëve. Rezulton se Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë miratim që shoqëria “Sani Service” me aksioner kryesor Ilir Rrapaj, të nënkontraktonte shoqërinë “Global Sher”, në pronësi të plotë të Ilir Rrapaj.
Nga ana tjetër, marrëdhënia financiare mes shoqërive “Sani Service” dhe “Global Sher” dëshmon që zbatimi i kontratës koncesionare ka qenë tërësisht jashtë kontrollit të Ministrisë së Shëndetësisë ose faturimet skandaloze mes tyre janë lejuar me vetëdije nga autoriteti kontraktor. Skema e pagesës së aksionerëve për shërbimi konsulence dhe ndërmjetësimi është parë më herët edhe në koncesionet e landfilleve dhe inceneratorëve. Një ndër pronarët de fakto të djegësave, Klodian Zoto, ka paguar kompani të tjera të tij për shërbime konsulence për koncesionarët e plehrave. Duket qartë se skema mashtruese është e njëjtë, pavarësisht se ndryshon fusha e kontratave koncesionare.