Nga fjala e protestës e Kryetarit të PD-së, Sali Berishës, sot në Kuvend, gjatë seancës në errësirë, ku opozita njoftoi të nisë betejenën e saj parlamentare dhe mazhoranca socialiste për hakmarrje e drejtuar nga kryeministri Edi Rama vendosi të ndërpresë energjinë elektrike në sallë.
"Sot, ata ia mbathën - tha në vazhdim të fjalës së tij, z. Berisha. - Po kjo është një ditë, ky është fillimi i një betejë, të cilën ata na e imponuan pasi zhdukën çdo hapësirë kushtetuese dhe ligjore për opozitën në parlament.
Dhe ne kemi hartuar 31 ligje dhe asnjë nuk ka ardhur në këtë sallë. Ne kemi hartuar ligje për interesat e qytetarëve, për të luftuar korrupsionin, për minimumin jetik në mënyrë që të mbrojmë shqiptarët. Ne kemi hartuar ligje për të goditur rritjen e madhe të çmimeve, për konkurrencën dhe transparencën.
Ne kemi hartuar rezoluta për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë.
Të gjitha i bllokon kryetarja e parlamentit që sillet si një vasale mjerane e Edi Ramës.
De facto i bllokon Edi Rama, nuk i sjell në parlament.
Atëherë pse jemi ne këtu? Shumë prej jush mund të mendojnë se ne duhet të ikim nga parlamenti. Nuk mendoj se ajo është rruga.
Ne kemi zgjedhur këtë rrugë, nuk tërhiqemi nga kjo rrugë.
Sigurisht, në çdo përpjekje, çdo hap do e marrim së bashku. Në çdo përpjekje do jemi së bashku.
Koha është të përmbushim misionin tonë.
Asnjë shoqëri në botë nuk është zhvilluar jashtë sistemit pluralist.
Arritjen tonë shekullore e grabiti Edi Rama për karrigen e tij, nuk mundet kurrë të pajtohemi ne me këtë gjendje.
Nuk mundet kurrë të pajtohemi ne me regjimin e krimit dhe drogës.
Nuk mundet kurrë të pajtohemi ne me dhunimin flagrant të të drejtave të njeriut, me kontrollin total që ai vendos mbi drejtësinë.
Kurrë ndonjëherë drejtësia nuk ka qenë më e kontrolluar se sot që nga koha e Enver Hoxhës.
Nuk ka kryeministër në botë që do qëndronte kryeministër, në rast se një seri ministrash i dalin të implikuar në vjedhjen e qindra milionë eurove.
Ai qëndron se me SKAP-in e partisë, dënon atë që do dhe amniston atë që do. Dhe u paraqitet shqiptarëve si një njeri i pastër, në një kohë kur ai është më i korruptuari. Në një kohë kur ai dhe familja e tij janë shushunja që me dhjetëra e qindra tendera, plaçkisin pasuritë tuaja, paratë tuaja, fondet tuaja.
Sigurisht që secili që ndjek këtë protestë, ka halle të mëdha. Halle personale, halle familjare, halle me fëmijët.
Por dua t’u them se asgjë nuk mund të zgjidhet nëse nuk rivendoset pluralizmi politik në parlament.
Asgjë nuk mund të zgjidhet nëse nuk rivendoset e drejta e votës së lirë.
Se alternativë e vetme, të cilën e do Edi Rama, është që ju të largoheni nga Shqipëria dhe të pakësohet çdo ditë e më shumë numri i kundërshtarëve të tij."