Deklaratat kur Rama kërkonte nga SPAK goditjen e Berishës

Premte, 27 October 2023 12:22

Edi Rama ka refuzuar ta falenderojë prokurorinë speciale duke i shmangur gazetarët që e pyesin për veprimet e saj të fundit. Edhe dje në Fushë Krujë dhe të enjten në Vlorë, kryeministri ka dashur të ngulisë imazhin e njeriut që merret me rutinën e punëve të përditshme. Reporteres së tij të preferuar vlonjate, që e pyeti për veprimet e fundit të SPAK, ai i tha thjesht: “Mirupafshim”. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Duket se ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit ka ndodhur tani, pas faktit të kryer. Sepse më parë ai lëshonte ultimatume për nevojën e arrestimit të Berishës.

Nga kongreset e PS dhe nga asambletë e kësaj partie, kryeministri ka shpallur shpesh se durimi i tij po sosej, se SPAK duhet t’ia heqë këtë njollë Shqipërisë, se çështja e non-gratas është një sfidë që i bëhet dejtësisë. Dhe Rama nuk e ka shqiptuar një herë gabimisht por e ka kthyer në refren këtë mesazh… 

 

“Zonja dhe zotërinj të SPAK, zgjohuni dhe dilni në mbrojtje Shqipërisë. Shqipëria është i turpëruar nga një non-gratë, një i vdekur që i bën karshillëk këtij vendi. Kush e ka lexuar mandatën e Sekretarit të Shtetit, e ka të qartë se i takon institucioneve të drejtësisë në Shqipëri që të bëjnë detyrën e tyre bazuar te ai përfundim i nxjerrë nga SHBA”, tha Rama duke vazhduar t’i drejtohet prokurorëve specialë: “E keqja kualifikohet deri tani dhe ju skualifikoheni. Problemi është se e keqja do e vërë sërish përfund këtë vend. PS nuk do lërë dy gurë bashkë që të mos e lejojë këtë”, deklaroi ai nga asambleja e PS në maj 2022. Edhe një muaj përpara kësaj, gjatë Kongresit të socialistëve në prill, kryeministri kishte përsëritur të njëjtën gjë: “SPAK ka detyrimin të hetojë ish kryeministrin Berisha pas deklaratës së SHBA-ve, mikut dhe aleatit më të madh të Shqipërisë, që ndalon atë të vizitojë SHBA. Ajo deklaratë rëndon Shqipërinë, sepse Berisha ka drejtuar Shqipërinë dhe SPAK duhet të vlerësojë qëndron apo nuk qëndron”.

Rama i vazhdoi këto deklarata edhe në një konferencë shtypi përkrah ministrit të drejtësisë Ulsi Manja nga selia e PS. Ai u ankua se Prokuroria e Posaçme po godet vetëm në njërën anë.
 

“[SPAK] siç po vjen në anën tonë, duhet të shkojë në çdo anë. Nuk duam një drejtësi të pjesshme dhe të njëanshme,” deklaroi Rama nga salla e konferencave të selisë rozë në 11 maj 2022.  Këto deklarata e bënë delegacionin e BE-së në Tiranë dhe admiruesen e tij Yuri Kim të reagonin. Drejtësia “do të quhet e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë. Kjo nuk është drejtësi; nuk janë këto standardet që duam t’ju ndihmojmë të arrini në Shqipëri. Dhe mendoj se nuk janë këto standardet që populli shqiptar kërkon kur flet për reformë në drejtësi”, tha atëherë ambasadorja amerikane. Por kryeministru u përgjigj sërish: “Mua nuk më jep leksione askush për ndërhyrje, as shqip, as anglisht, as frengjisht”.

Që atëherë ka kaluar gati një vit e gjysëm dhe tani kërkesa e Ramës po shkon drejt realizimit.

Por në mënyrë të çuditshme, kryeministri ka që të premten që bën sikur merret me rutinën e përditshme. Ai që dikur lëshonte ultimatumin, “durimi im po soset”, nuk flet më për domosdoshërinë e goditjes së Berishës, së paku për të falenderuar SPAK-un që ia dëgjoi këshillën.

Login to post comments