Lideri i opozitës, Sali Berisha, i bëri një thirrje qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti, të rinjve, pikërisht sot në Ditën e Rinisë, ditën kur 33 vjet më parë studentët u ngritën në protesta dhe përmbysën diktaturën, "që të ngrihet në lartësinë e misionit të ri, sepse një mosbindje e dytë civile apo një revolucion i dytë me mosbindje civile është vendimtar sot për fatin e Shqipërisë."
Berisha, në përfundim të aktivitetit përkujtimor "Dhjetori i historisë dhe librave" në selinë e PD, tha:
"Do ta mbyll këtë fjalë me thirrjen time: na përket ne, i përket PD-së të marrë çdo vendim, të bëjë çdo përpjekje për të organizuar shqiptarët në një betejë pa kthim, në një mosbindje civile pa kthim gjer në përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar, antidemokratik.
Do u rikujtoj vetëm një moment nga takimi me Ramiz Alinë me datën 10 gusht. Ndër të tjera, kur i themi se heqja e monumentit të Stalinit është gjë e mirë edhe për Kosovën, dale ti Sali thotë, se unë e ti jemi nga pak kosovar, unë ia kthej se jam kosovar, kurse ai herë thoshte jam, herë jo, siç i leverdiste.
Se ata kosovarët, tha, shkojnë në OKB, protestojnë atje dhe kërkojnë që Shqipëria të mbrojë Kosovën. Ky ishte pozicioni i Ramiz Alisë në raport me Kosovën në gusht të vitit 1990.
Po cili ishte pozicioni i Edi Ramës në këto vite në aport me Kosovën? Pozicioni më armiqësor se i çdo lideri tjetër në Ballkan, përveç Aleksandër Vuçiçit.
Edhe toleranca jonë ndaj këtij qëndrimi, të pranojmë haptas, na turpëron, nuk na nderon. Nuk mundet njerëzit patriotë dhe atdhetarë, të pranojnë si pushtetar një armik, një vasal, një argat apo një Pashiç të Beogradit në Tiranë.
Të gjitha këto janë thirrje, por 8 dhjetori e ka mesazhin, thirrje për rininë. Dhe PD do mund ta fitojë këtë betejë dhe do e fitojë, me një kusht të vetëm, angazhimin, mobilizimin e të rinjve shqiptarë, e atyre që kanë mbetur këtu, që i kanë rezistuar gjenocidit të Edi Ramës.
U garantoj se nuk ka diktator, nuk ka diktaturë, për më tepër që kjo është një diktaturë e një vendi anëtar të NATO-s, ky është një aberracion i tmerrshëm për aleancën. Aleanca është aleancë e vendeve demokratike dhe kjo është e vetmja diktaturë, çka për ne, e bën edhe më të mundshme përmbushjen e detyrimit tonë për përmbysjen e saj.
Uroj me këtë rast të gjithë ata mijëra e mijëra studentë që me 8 dhjetor nisën lëvizjen e tyre liberatore për Shqipërinë dhe ftoj rininë shqiptare të ngrihet në lartësinë e misionit të ri, sepse një mosbindje e dytë civile apo një revolucion i dytë me mosbindje civile është vendimtar sot për fatin e Shqipërisë."