Biznesi detyrohet t’i bëjë Ramës një kërkesë të pazakontë: Na sill indianë e bangladeshas të paktën

Hënë, 11 December 2023 11:51

Pasi përzuri shqiptarët, Edi Rama, ka vënë biznesin vendas në kushte të tilla sa t'i thotë na sill punëtorë nga India e Bangladeshi të paktën. 

Shpopullimi i vendit nën qeverisjen e Ramës është drama më e madhe që i ka ndodhur këtij vendi, sot, biznesi vendas ndien mungesën e punëtorëve në sektorë si turizmi, ndërtimit, fasoneria, bujqësia etj.  Aq rëndë është situata sa biznesi po detyrohet të bëjë kërkesa të pazakonta ndaj qeverisë. 

 

Mungesa e burimeve njerëzore po kthehet në kërcënimin kryesor për sipërmarrjen, kjo e fundit ka një kërkesë të pazakontë.

Sokol Kraja, sipërmarrës, gjatë një intervistë për emisionin “E-ZONE”, i bën thirrje qeverisë që të hapë ambasada në vendet e largëta, vetëm për një qëllim, për të rekrutuar punonjës të huaj. 

Ajo që po ndodh sot është emigrim, emigrim, emigrim.

“Punonjësit po largohen çdo ditë. Në këto kushte i bëj thirrje qeverisë që të hapë ambasada në Indi dhe Bangladesh. Janë vende me popullsi të lartë dhe me një fuqi punëtore që mund të amortizojë hendekun në tregun tonë. Vendi ynë do të vijojë të vuajë nga emigrimi i mëtejshëm dhe kjo po sjell kosto për biznesin”, – u shpreh Kraja.

Sipas tij viti 2024 do të jetë edhe më sfidues në gjetjen e punonjësve të kualifikuar dhe ka një arsye për këtë.

Unë mendoj se 2024 do të jetë edhe më i vështirë në këtë drejtim. Shumë vende si Kanadaja, Gjermania etj po lehtësojnë kushtet e punësimit për emigrantët e huaj. Kjo do të sjellë hemorragji në tregun e punës, për rrjedhojë do të prekemi dhe ne – sqaroi Kraja në “E-ZONE”.

Për të dytin vit me radhë, në indeksin e klimës së biznesit nga dhoma amerikane e tregtisë, treguesi me përkeqësimin më të madh është ai i gjetjes së fuqisë punëtore.

Modifikuar më Hënë, 11 December 2023 12:01
Login to post comments