Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kreu i PD-së, Sali Berisha bëri thirrje që objektivi madhor i lëvizjes së demokratëve, të jetë arrestimi i Edi Ramës.
Berisha theksoi në fjalën e tij, se Edi Ramën po e mbron vetëm Altin Dumani.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Janë shumë prej jush në këtë rrugë, që e kanë të freskët në mendje kur ne i binim bulevardit se na kishin rrëmbyer votën, na kishin rrëmbyer vullnetin, me këngët e rilindësve tanë: Ja vdekje, ja liri.
Ai që të prek votën, të ka prekur lirinë, të ka shkelmuar dinjitetin, të ka shkelmuar idealet, të ka shkelmuar të ardhmen, ai është armiku më i egër i yti. Ai meriton çdo ndëshkim.
Ndaj dhe thirrja ime, demokrate dhe demokratë, krenarë të merrni kthesën!
Kthesa juaj është fati i Shqipërisë, është fati i demokracisë shqiptare, është fitorja e Shqipërisë, është fitorja jonë, fitorja e demokracisë.
Miqtë e mi, nuk merrja kurrë përsipër të drejtoja ju, të mashtroja ju, të drejtoja ju si parti profesioniste opozitare, jo mo jo, ju jeni partia që keni përmbysur epoka, keni ndërtuar Shqipërinë. Ju meritoni pushtetin, ju meritoni të ardhmen, ju meritoni qeverinë!
Ata që duan PD-në në pushtet, të marrin kthesën, të dalin në fushë-betejë!
E pafalshme për ne, në qoftë se Edi Ramën vjen nesër skuadra e FBI dhe e paketon. Çfarë jemi ne pastaj?
Edi Rama kreu akte korruptive armiqësore ndaj partnerit kryesor. U përket shqiptarëve dhe para së gjithash shqiptarëve, t’i japin ndëshkimin që meriton.
Mos kujtoni se ai ka mbështetje, të parët që ia mbathin janë ministrat e tij, të parët që e braktisin janë deputetët e tij.
Atë e mbron vetëm një njeri, e mbron kreu i organizatës kriminale Skapi i partisë.
Po, po, sepse ai është autori i krimeve të shumëfishta me dosjet 339, 184, Edi Rama dëshmon se drejton shtetin e mafies kundër vullnetit tuaj, se me mafien rrëmben votën dhe ju kontrollon ju.
Por atë e mbron avokati i tij, Altin Dumani, që betohet se është i pavarur, paçka se xhep e kokë është i varur nga Edi Rama.
Çfarë mund të kërkojë një institucion akuze sesa dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, që dëshmojnë se ka korruptuar njeriun kryesor të kundërzbulimit të këtij vendi, se i ka dërguar me Agron Nezën 220 mijë dollarë ryshfet, porosi për luftë kundër opozitës.
Çfarë kërkon një institucion akuze më shumë sesa provën e Ministrisë së drejtësisë së SHBA, që dëshmon se McGonigal në mënyrë korruptive ka ndërhyrë për heqje licence nafte dhe e kanë hequr për t’ia dhënë Damianit dhe Agron Nezës.
Atëherë do presim ne ta ndëshkojë Dumani? Ai nuk e ndëshkon dot kurrë. E dini ju apo jo? Ai nuk po merr dot serverat që ia kërkon FBI për t’i shqyrtuar. Por FBI i ka të gjithë të dhënat, sa për dijeni, por nuk e lejon Agaçi me ato rojet e veta aty.
Ndaj dhe të shpallim largimin e tij të menjëhershëm, arrestimin e tij si objektiv madhor të lëvizjes sonë.
Në këmbë demokratë, në kthesë demokratë, në betejë pa kthim demokratë.
Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!