Berisha: Me 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë - kundër Edvinit, kundër krimit, për dinjitetin e shqiptarëve!

Tuesday, 06 February 2024 11:09

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në protestën qytetare të mbajtur poshtë banesës së tij mbrëmjen e së hënës, pas asaj tek parlamenti, paralajmëroi protestën tjetër.

Berisha tha:  "Miqtë e mi! Kjo betejë është beteja e triumfit të dinjitetit njerëzor, beteja e triumfit të luftëtarëve të lirisë, beteja e triumfit të atdhetarëve shqiptarë, beteja e atyre që e duan Shqipërinë në Europë. Beteja e triumfit të ëndërrave dhe të rinjve shqiptarë. 

 

Të dashur miq! Ka vetëm një rrugë drejt fitores, betejë pa kthim, mosbindje civile. Me 20 shkurt Shqipëria në Tiranë, në ditën antitirani në ditën anti Edvin, në ditën kundër Edvinit, kundër krimit, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve.

20 shkurti është dita e triumfit tonë. Është dita e dridhjes në themele të pushtetit të krimit, të pushtetit të drogës, të monizmit të Edi Ramës. Demokrate e demokratë!

Simbolet e krimit, simbolet e monizmit, simbolet e poshtërimit të shqiptarëve janë parlamentit Rama-Linda, kryeministria e Edvin Kristaq Xhelatit, SKAP-i i Altin Dumanit, Surreli i Edvin Kristaq Xhelatit.

Nuk ka forcë në botë që do mbrojë këto simbole të krimit, të poshtërimit të shqiptarëve para jush, njerëzve idealistë, njerëzve atdhetarë, njerëzve demokratë.

Miqtë e mi! Një nderim të pakufishëm për ju, e nisët këtu me disa dhjetëra vetë. Ja ku jeni sot, dhjetëra mijëra dhe së shpejti do jemi qindra mijëra. Tirana, Shqipëria do jetë e juaja! Në këmbë demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë për dinjitetin tonë, për të ardhmen tonë, për Shqipërinë, për lirinë tonë, për Shqipërinë në Europë.

Rrofshi ju, rroftë opozita e bashkuar! Nderim deputetëve qëndrestarë, nderim protestuesve qëndrestarë.

Fitore, fitore, fitore! Edhe njëherë, urime për fitoren e shkëlqyer. Luani u zgjua, mjerë hienat çfarë do të shohin nga luani. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!"

Login to post comments