Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, akuzoi Arben Ndokën për atentatin e ndodhur para shkollës në Lezhë.
Berisha tha në fjalën e tij, se ata që bërë atentatin janë të njëjtët njerëz që i zunë pritë dhe Salvador Kaçit.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionarëve të të vërtetës, misionarëve të dinjitetit njerëzor.
Shpreh mirënjohje të pakufishme që me qëndresën tuaj të përnatshme, ndriçoni, shpërndani dritë dhe shpresë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.
Me praninë tuaj, me fjalët tuaja, ju tejshponi vellon e zezë të territ me të cilin narkodiktatura fsheh krimet e saj të përditshme.
Miqtë e mi, në këtë regjim të urryer për çdo njeri që i beson lirisë dhe dinjitetit njerëzor, vrasja, plumbat, breshëritë nga pushtetarët fshihen njëlloj si në kohërat më të errëta të diktaturës komuniste.
Vetëm 4-5 ditë më parë, në Lezhë u shkrehën breshëri ndaj një qytetari me mbiemër Puka.
Këto breshëri u shkrehën nga drejtori i Policisë Bashkiake, nga një akraba e afër e kryebosit të krimit të Lezhës, Arben Ndokës.
U shkrehën nga ata kriminelë që i dolën para, i zunë pritë, e morën në shenjë Salvator Kaçin dhe djalin e tij ditën e zgjedhjeve.
Çfarë ndodhi thoni ju?
Policia me Bashkinë, në garë për të fshehur para qytetarëve shqiptarë vrasjen, krimin.
Çfarë më rikujtoi kjo mua? Më rikujtoi kohërat më të zeza në diktaturë kur diktatori ose mëkëmbësi i tij, përdornin si zagarë për gjah oficerët, dhe kishte rastisur që çiftja apo pushka të shkrehej mbi ta dhe jo mbi gjahun që ata ndiqnin.
Fshihej, pëshpëritej, por gjyq nuk zhvillohej kurrë.
A nuk është kjo e njëjtë? Afër një shkolle u qëllua një qytetar dhe hapat e parë u bënë të fshihej.
Po pse të fshihej? Sepse krimineli që qëlloi ishte zyrtar. Dhe jo vetëm zyrtar, por edhe i afërm i Arben Ndokës.
Lexoni pak dosjen Metamorfoza dhe shikoni ju se si jeton Dumani dhe Kraja.
Në atë dosje, e zezë mbi të bardhë shkruhet se sipas Denis Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, Beni, fjala është për Arbenin, na ndihmoi shumë.
Po me çfarë? Me nxjerrjet në pritë të gjahut të radhës të qytetarit të vrarë diku në rrugët e Torovicës.
Pra, ju e shihni se cili është regjimi.