Gjatë fjalës në tubimin qytetar në rrugën e Shpresës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Taulant Ballën si të përfshirë në krime.
Berisha theksoi se, gjyqi ndaj Gentian Sharrës, një prej pjesëtarëve të dosjes ‘Plumbi i Artë’, po shtyhet sepse në atë dosje ka dokumente shkatërrimtare për Taulant Ballën.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Pak kohë më parë, kryetari i PS, partisë së krimit në Elbasan, grushtoi si kafshë një roje shkolle.
Po ai ishte mik i ngushtë i Taulant Ballës, Taulant Bego Yaris. Ishte vetëm reagimi i opinionit publik që i detyroi të arrestojnë banditin, sepse fillimisht bënë gjithçka për të fshehur krimin.
Ka një gjyq dhe ky është gjyqi i Gentian Sharrës.
Gentian Sharra është mik me kokë i Taulant Ballës. Në dosjen e Skapit faqezi të partisë, ekzistojnë, ua them unë me përgjegjësi të plotë, kilometra të tëra biseda, ndërhyrje të Taulant Ballës që bashkëshortja e Gentian Sharrës të fitojë tenderat.
Ekzistojnë akuza për implikime nga më të tmerrshmet.
Çfarë po ndodh me këtë gjyq miq?
Në këtë gjyq, i cili ka dosjen me dokumente shkatërrimtare për kriminelin Taulant Balla, gjyqtarët njëri pas tjetrit, japin dorëheqjen.
Detyrohen të marrin gjyqtarë nga rrethet për të krijuar trupën gjykuese.
Çfarë ndodh? Misteri përsëri. Meqenëse avokati i çështjes rastisi të jetë një njeri me integritet dhe natyrisht po të kapte dosjen në dorë, do të gjente Taulantin, në mënyrë të befasishme, pa asnjë motiv, gjykatësja me urdhër e përjashton avokatin nga mbrojtja.
Dhe gjyqi shtyhet për "kalendat greke| gjersa të dalë dikush të pastrojë plotësisht dosjen në të cilën Taulant Balla, njëlloj si në rastin e avokatit Gurra, përmendet për krime të shëmtuara.
Të gjitha këto kryhen nga segmentet e krimit në pushtet.
Imagjinoni ju se sa kushton jeta juaj në qoftë se me ju merren vrasësit e lidhur me qeverinë.