Skandali i frikshëm i ndodhur në Spitalin Onkologjik në QSUT, skandal i cili po tentohet nga Rilindja t’u faturohet vetëm mjekëve, është në fakt përgjegjësi direkte e ministrisë së Shëndetësisë (disa ministrave radhazi) dhe administratës së spitalit, sigurisht duke përfshirë edhe mjektët.
Tentativa e parë u pa që dje me daljen e ministres Albana Koçiu e cila atakoi direkt vetëm mjekët dhe foli për përjashtim të tyre nga shërbimi publik. Më pas të gjitha mediat e kontrolluara nga mazhoranca e kanë vënë theksin dhe përqëndruar vëmendjen vetëm te mjekët.
Kjo duket që është orientim nga ‘lart’, pasi edhe sot në Parlament, Albana Koçiu, në mënyrë të pavetëdijshmë, ose jo, e ka quajtur super skandalin me jetët e njerëzve të sëmurë me kancer si ‘çështja e famshme’ e Onkologjikut.
Një reagim i ngjashëm me Elisa Spiropalin kur donte të relativizonte skandalet dhe përgjegjësinë e insitucioneve për heshtjen ndaj një rasti përdhunimi në grup të një të miture, duke thënë se të tilla gjëra bëhen filma jashtë shtetit.
Pak a shumë të njëjtën gja ka bërë edhe Albana Koçiu sot në Parlament, e cila duket se e ka arkivuar skandalin dhe tani po përpiqet të zhveshë nga përgjegjësia institucionin dhe administratën që drejton.
Ministrja Albana Koçiu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, e ka cilësuar skandalin tek Onkologjiku si “çështje të famshme”.
“Ndiej detyrën morale për të cekur sërish çështjen e famshme të Onkologjikut.
Një grup mjekësh dhe farmacistësh që kanë luajtur me jetën e qytetarëve është akt i një sjelljeje që ka përgjigje ndëshkimin ligjor, moral.
Ministria ka nisur hetimin. Për të sanksionuar ata mjekë, që abuzojnë me detyrën, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës, do përballen me sanksione.
Do t'u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit nëse do të bëjnë ndërhyrje amorale që cenojnë profesionin e mjekut”, tha Koçiu.