Kryeministri Edi Rama, u është hakërryer që në mëngjes ndjekësve të tij në Facebook, por këtë herë jo se në adresën e tij kishin nisur komente fyese, por për t’u treguar atyre se ai ka marrë një "kurorë" nga Facebook, si një ndër liderët që kohen më të madhe të punës e kalon në rrjete sociale.
Pas publikimit të listës nga Twiplomacy, një institucion që monitoron rrjetet sociale të liderëve dhe organizatave në të gjithë botën, që e ka renditur kryeministrin shqiptar Edi Rama në dhjetëshen e kryeministrave në botë, si më interaktivët në faqen e tij në Facebook, vjen reagimi i Rames.
“Dhe me këta që thonë se unë qenkam një nga 10 liderët më aktivë në facebook në botë, po nuk thonë që në botë s’ka të tjerë si ju, që më ngacmoni me komentet tuaja këtu duke rritur aktivitetin tim komunikues në këtë rrjet, ju uroj një ditë të mbarë”,- shkruan ai në faqen e tij në Facebook mëngjesin e sotëm.