Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur vakancën për vendin e lënë bosh nga ish-ministrit Sajmir Tahiri. Vendimi mban datën e sotme, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni që do të kryejë zëvendësimin me deputetin e radhës. Në radhë pas Tahirit, në listën e socialistëve është Spartak Braho, por KQZ pritet të marrë vendimin e zëvendësimit me një kandidate grua, për shkak të mosrespektimit të barazisë gjinore. Siç e tha vetë Tahiri, ai, u dorëhoq për t’i hapur rrugën hetimeve, por mediat aludojnë se mes tij dhe Ramës ka një marrëveshje që ai të mos preket dhe kryeministri të justifikohet para ndërkombëtarëve.
Por çfarë do ndodhë me të? A do kërkojë Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestimin?
Nëse prokuroria e vlerëson për një arrest të mundshëm të tij, atëherë mund të veprojë me “urdhër arrest” dhe më pas ky urdhër të vlerësohet nga gjykata.
Rruga e dytë është që t’i drejtohet gjykatës për Krime të Rënda për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe vetëm nëse e siguron një vendim të tillë, atëherë mund të ketë një arrestim të mundshëm të tij.
Kujtojmë që ish-ministri Saimir Tahiri u përfshi në skandalin e përgjimeve të trafikantëve “Habilaj” kushërinj të tij të largët, të cilëve iu kishte shitur edhe makinën. Në përgjimet e Prokurorisë së Katanias trafikantët e përmendnin si personi me të cilin ndanin fitime.
Pas kësaj nisën hetimet paralele në Itali dhe Shqipëri, por edhe pse prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Partia Socialiste e shkarkoi nga të gjitha funksionet dhe prej 6 muajsh ai qëndroi si deputet i pavarur, derisa sot mori vendimin.