“Rilindja” dhe përfaqësuesit e saj vendorë vazhdojnë mashtrimin e qytetarëve vetëm e vetëm për të mbushur xhepat e për të plotësuar qejfet e tyre.
Dritan Leli, kryetari i Bashkisë Vlorë ka gënjyer për shifrën që ka shpenzuar për dekorimin e qytetit gjatë festave të fundvitit.
Nga një investigim i Faktoje.al rezulton se Bashkia e Vlorës ka shpenzuar për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit 2017 plot 7,615,380 lekë të reja megjithëse deklaron se për këtë shërbim çdo vit jepen fonde modeste.
“Çdo vit programohen fonde modeste me të cilat realizohet blerja e elementëve të rinj për dekorimin e shesheve kryesore dhe akset kryesore në qendër të qytetit”, deklaronte Bashkia e Vlorës në buxhetin për vitin 2017.
Nga të dhënat e Agjencisë së Prokurimeve Publike flitet për tre tendera që kjo bashki shpalli për të njëjtën punë publike e më pas kontraktoi një kompani me bazë në kryeqytet dhe dy individë.
Kompanitë janë:
- • “Albafire” që ka fituar tenderin me vlerë 6,654,480 milionë lekë
- • Zyhni Muçaj me 516, 900
- • Ervin Luzi me 444, 000
Vetëm për dritat janë shpenzuar afro 3 milionë lekë të reja.
Ndërkaq, e pyetur për këtë çështje Bashkia Vlorë tregon se janë dhënë vetëm dy tendera, ndërkohë që nga kërkimet rezultojnë tre të tillë.
Krahasuar me shumë nga bashkitë e vendit, Vlora mban rekordin e shpenzimeve për dekor fundviti.