Në një kohë që frika nga koronavirusi ka kapluar mbarë botën, mjekët onkologë vazhdojnë të trajtojnë një prej sëmundjeve që merr rreth 9.6 milionë jetë njerëzish në vit, tumorin. Aktualisht në vendin tonë kemi një rritje prej 14% të numrit vjetor të pacientëve të rinj të diagnostikuar me kancer, në një kohë që numri total i pacientëve të prekur ka arritur në 8294.
Të dhënat janë bërë me dije nga drejtuesi i Radioterapisë në QSUT, dr. Orges Spahiu, i cili në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregoi mënyrën e trajtimit të pacientëve tek Onkologjiku në këto ditë të vështira pandemie. Sakaq, Spahiu nënvizon se trajtimi me radioterapi nuk është ndërprerë asnjë ditë dhe stafi i njësisë ka qenë vazhdimisht në shërbim të pacientëve. Ndërkohë, janë bërë disa reduktime të numrit ditor të pacientëve në trajtim, me qëllim evitimin e ekspozimit të pacientëve ndaj rrezikut të COVID-19.
A ka një rritje të numrit të pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale në vendin tonë, krahasuar me një vit më parë?
Me rritjen e shpejtë të popullsisë dhe plakjen e saj kemi një trend në rritje të numrit të rasteve me kancer në vit. Sipas statistikave të regjistrit global të kancerit, të cilat publikohen çdo 5 vite, në vendin tonë kemi një rritje prej 14% të numrit vjetor të pacientëve të rinj të diagnostikuar me kancer kundrejt rritjes globale, që rezulton të jetë rreth 22%. Po sipas GLOBOCAN, vendi ynë aktualisht shënon një numër prej 8294 pacientësh në vit nga të cilët rreth 6500 pacientë marrin trajtimin e nevojshëm në QSUT. Në fakt, globalisht projektohet një trend në rritje i rasteve të reja vjetore të diagnostikuar me kancer, projeksion i cili në vitin 2040 parashikohet të arrije rreth 29.5 milionë raste të reja në vit nga rreth 18 milionë regjistruar në vitin 2018. Nga ky trend në rritje nuk mund të përjashtohet dot edhe vendi ynë. Vdekshmëria nga kjo sëmundje në botë është rreth 9.6 milionë në vit.
Sa persona trajtohen aktualisht nga sëmundjet tumorale në Shqipëri? Dhe sa prej tyre janë në stadin e avancuar të sëmundjes?
Në QSUT “Nëne Tereza”, në vitin e fundit kanë marrë trajtim rreth 6500 pacientë të diagnostikuar me kancer, ose pothuaj 80% e numrit total të të sëmurëve me kancer raportuar nga GLOBOCAN. Me keqar-dhje theksoj se pacientët në vendin tonë, për vetë kulturën shëndetësore, paraqiten në stade të avancuara të sëmundjes në një përqindje relativisht të lartë, rreth 60-70%. Ky është një faktor domethënës për suksesin e trajtimit dhe ul ndjeshëm shanset e kurimit te një pjesë e pacientëve tanë, kjo bazuar dhe te specifikat e sëmundjes së gjithsecilit. Në këto kushte del si prioritet kombëtar ndërgjegjësimi dhe edukimi mjekësor i popullatës mbi rrezikun e kancerit dhe rëndësinë e përfitimet nga diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje.
Ndodhemi në një situatë të pazakontë për më shumë se një muaj. Si po trajtohen aktualisht pacientët e sëmurë me kancer?
Në kushtet e pandemisë globale të COVID-19 si në të gjitha shërbimet e QSUT-së janë ndërmarrë masat e nevojshme të këshilluara nga OBSH-ja dhe autoritetet vendëse si veshjet speciale, distancat, dezinfektimet etj. Krahas kësaj, njësi të ndryshme të shërbimit kanë ndërmarrë masa në përshtatje me specifikat e trajtimit. Si drejtues i Radioterapisë Onkologjike, një prej trajtimeve kryesore për këtë sëmundje, kam ndërmarrë masa organizative në përputhje me linjat guidë ndërkombëtare dhe europiane për dhënien e këtij lloj trajtimi në situatën e jashtëzakonshme të COVID-19. Trajtimi me radioterapi nuk është ndërprerë asnjë ditë dhe stafi i njësisë ka qenë vazhdimisht në shërbim të pacientëve. Janë bërë disa reduktime të numrit ditor të pacientëve në trajtim, me qëllim evitimin e ekspozimit të pacientëve ndaj rrezikut të COVID-19. Duke vlerësuar rast pas rasti, bazuar në patologjinë dhe nivelin e emergjencës së nevojës për trajtim kemi shtyrë kalendarin e trajtimit për një numër pacientësh për të cilët kjo vonesë ose shtyrje nuk përbën faktor rreziku për suksesin e trajtimit.
A e kanë të thjeshtë pacientët të paraqiten në spital për të marrë trajtimin?
Në përgjigje të nevojave të pacienteve kemi krijuar një sistem të autorizimit të lëvizjes nëpërmjet një vërtetimi të lëshuar nga ne mbi periudhën e trajtimit. Natyrisht që mund të hasen vështirësi të natyrës së përgjithshme të diktuara nga kjo situatë si mungesa e transportit publik ndërqytetas, të cilat përgjithësisht janë adresuar. Një sfidë tjetër lidhet me pacientët e hospitalizuar, të cilët për shkak të masave nga COVID-19 nuk mund të kenë pranë familjarët e tyre gjatë periudhës së hospitalizimit që ndikon në gjendjen e tyre emocionale. Edhe kjo sfidë është adresuar nga ana jonë nëpërmjet shtimit të personelit të shërbimit infermieristik.
Cilat janë shanset e pacientëve sot për të marrë kurën e nevojshme?
Me avancimet shkencore dhe teknologjike në këtë fushë, suksesi i trajtimit të sëmundjeve tumorale është në rritje si në botë, ashtu edhe në vendin tonë. Bazuar në llojin e patologjisë dhe diagnostikimin e hershëm të saj është arritur një shërueshmëri e konsiderueshme (deri ne 90% të rasteve) për një sërë tumoresh si psh.: tumoret e lëkurës (mbijetesë deri në 98% të pacientëve), kanceri i gjirit (mbijetesë deri në 83% të pacientëve), kanceri i prostatës (mbijetesë deri në 76% të pacientëve), kanceri testikular (mbijetesë deri në 95% të pacientëve), limfoma Hodgkin (mbijetesë deri në 87% të pacienteve), kanceri i qafës së mitrës (mbijetesë deri në 66% të pacientëve) etj. Aktualisht edhe në QSUT kanë arritur praktikat dhe teknologjia e avancuar për trajtimin e sëmundjeve tumorale. Në mënyrë specifike mund t’i bëjë me dije publikut se teknikat e përdorura për trajtimin me radioterapi në njësinë që unë drejtoj janë të njëjta me qendrat e trajtimit të tumoreve në vendet e përparuara europiane. Shpesh trajtimi i patologjive tumorale kërkon qasje multidisiplinare, e cila realizohet me së miri brenda Shërbimit Onkologjik, apo më gjerë në QSUT nëpërmjet konsultimit dhe vendosjes së trajtimit më të përshtatshëm për secilin pacient, duke kombinuar tri mjetet kryesore të trajtimit: kirurgji, kimioterapi dhe radioterapi./GSH.al