Përballja e fundit e javës së 28-të do të zhvillohet midis Flamurtarit dhe Skëndërbeut, ku korçarët do të mundohen të rikthehen në formën e mëparshme.
Nga ana tjetër vlonjatët të drejtuar nga Shpëtim Duro pak ditë më parë treguan që mund të përfitojnë nga kjo situatë, duke fituar ndaj korçarëve në fushën e tyre. Por, në këtë përballje në kampionat situatat janë ndryshe, Flamurtari duhet të rigjejë fitoren që i mungon prej 7 ndeshjesh në Superligë.
Gjendja jo e mirë e Skëndërbeut nga ana tjetër është reflektuar edhe në kampionat pasi në takimin e fundit janë mundur nga Vllaznia në Shkodër.
Daja, edhe në këtë ndeshje do të jetë pa Shehin e Lilajn, megjithatë ka rikuperuar Vangjelin e Radas, që do të jenë rregullisht në fushë.
Në këtë kampionat sfidat mes Flamurtarit e Skënderbeut kanë folur për bardhekuqtë, pasi dy fitore u kanë shkuar korçarëve, ndërsa një takim është mbyllur në ekuilibër.
Ndeshja do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin Flamurtari në Vlorë në orën 19:00.