Ndodh që një trajner të jetë gati të paguajë nga llogaritë e tij, për stafin që do të marrë me vete në Botërorin e Rusisë.
Pikërisht ky është rasti i trajnerit të skuadrës përfaqësuese të Australisë, Bert van Marvijk.
Sipas të përditshmes australiane, “Sydney Morning Herald”, ai do të paguajë vet 8 asistentët e tij, pasi Federata australiane e Futbollit nuk i garantoi fond të mjaftueshëm për të paguar stafin e zgjedhur prej tij, duke i ofruar ata që ishin në dispozicion të trajnerit të mëparshëm.
Në këtë situatë, Van Marvijk mori vendimin për t’i paguar vet njerëzit e besuar prej tij, për ngjarjen më të rëndësishme futbollistike.
“Ishte diçka e nevojshme, sepse nuk kisha kohë të mjaftueshme. Për të sjellë në formë skuadrën në një kohë të shkurtër do të më duhen persona që më njohin, nuk dua të kem probleme me komunikimin”, shpjegoi Van Marvijk.
Ber Van Marvijk e mori drejtimin e Australisë në janar dhe Botërori i Rusisë do të jetë një provë zjarri për të.