Spektakël në Sochi, Spanjë – Cristiano Ronaldo 3-3

Premte, 15 June 2018 21:54

Mbyllet në barazim 3-3 supersfida e Kupës së Botës mes Portugalisë dhe Spanjës, në një ndeshje ku të dyja skuadra kryesuan, por që pati si protagonist kryesor Cristiano Ronaldo, autor i tre golave. Sulmuesi i Real Madrid vazhdon të shkruajë historinë…

Fernando Hierro debutoi në stolin e spanjollëve, që konfirmohen si favoritë për suksesin përfundimtar në Rusi, pavarësisisht se 48 orë para kësaj sfide u largua trajneri Julien Lopetegui, sepse kishte firmosur paraprakisht me Real Madrid.

Pas vetëm katër minutash lojë, Cristiano Ronaldo fitoi dhe shndërroi në gol një penallti për kampionët e Europës. Përgjigja e Spanjës erdhi me golin e Diego Costa, në mesin e pjesës së parë, por në minutën e parafundit të këtij fraksioni, Ronaldo shënoi golin e dytë për portugezët, këtë herë duke përfituar nga një gabim foshnjarak i David de Gea.

Në minutën e dhjetë të pjesës së dytë, Busquets bëri spondin me kokë dhe Diego Costa realizoi golin e barazimit për Spanjën me portën e boshatisur.

Vetëm tre minuta më vonë, Nacho, realizoi golin e tretë për ekipin e Hierro. Mbrojtësi i Real Madrid tundi rrjetën me një goditje nga jashtë zone, e cila u përplas në shtyllë dhe më pas përfundoi në rrjetë. Ndoshta goli më i bukur deri në këtë pikë të Kupës së Botës. Ky ishte goli i parë që një futbollist i Spanjës shënon nga jashtë zone, që nga viti 1998.

Por kur mbeteshin edhe tre minuta lojë, Cristiano Ronaldo u konfirmua si një nga futbollistët më të mirë në qarkullim, duke realizuar me goditje dënimi golin e tretë për Portugalinë, të tretin personal, që vulosi barazimin 3-3.

Ronaldo bëhet futbollisti i katërt që shënon në katër edicione të ndryshme të Kupës së Botës.

Modifikuar më Premte, 15 June 2018 22:00
Login to post comments