Kosova U-18 është kualifikuar në gjysmëfinale të evropianit në Divizionin C, që po mbahet për herë të parë në vendin tonë.
Basketbollistët e rinj të Kosovës gjysmëfinalen e këtij evropiani e siguruan pasi e mposhtën Gjibraltarin me rezultat, 77:47, raporton KTV.
“Dardanët e rinj” e nisën ndeshjen tejet të relaksuar dhe duke e nënçmuar kundërshtarin, i cili edhe pse me më pak kualitet në lojë, luajti si skuadër e barabartë me kosovarët.
Kësisoj çereku i parë u mbyll në epërsi minimale të Kosovës, 12:11.
Në etapën e dytë, kur pritej reagimi i skuadrës sonë, basketbollistët tanë vazhduan me gabime në fazën e sulmit, duke humbur shumë topa.
Ndërsa në fund të pjesës së parë u këndellën disi, duke shkuar në pushimin mes pjesëve me rezultat 29:22.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga trajneri Ibrahim Karabeg rriti nivelin e lojës dhe ngadalë filloi të shkëputej në rezultat për të kremtuar në fund fitoren e dytë në këtë kampionat.
Basketbollisti më i dalluar në këtë përballje ishte fundori Gazzali Makasqi me 23 pikë e 4 asistime, kurse përkrahje pati edhe nga Erhan Sholla, i cili i ndihmoi skuadrës me 20 pikë e 10 kërcime.
Nga ana tjetër, te Gjibraltari më i miri ishte Alejandro Garcia, i cili realizoi double-double me 17 pikë e 10 kërcime.
Kosova në gjysmëfinale do të ketë përballë skuadrën e Irlandës.
Ky takim do të zhvillohet të shtunën prej orës 17:00, në pallatin e sporteve në Prishtinë.