Profil/ Luka Modriç, nga lufta dhe jeta në kampet e refugjatëve deri tek shndërrimi në një yll botëror

E mërkurë, 26 September 2018 09:00

Pa asnjë tatuazh. Pa rrëfime të shumta në gazetat rozë. Pa krehje të jashtëzakonshme, por me një model flokësh nga e kaluara. Nga jeta private e tij dihet shumë pak, që në futbollin modern duket sikur të jetë një person jashtë kohës.


Kapiteni i Kroacisë me një gjatësi prej vetëm 1,72 metra duket i tërhequr, flet rrallë dhe nuk ka dëshirë të dalë shpesh para kamerave televizive në konferencat e shtypit. Jashtë fushës së futbollit ai me dëshirë jeton i tërhequr. E ka të vështirë të flasë për veten, pati deklaruar njëherë për gazetën gjermane “Die Welt”.
Por në fushë ai është shef. “Lufta dhe jeta në kampet e refugjatëve, më kanë forcuar”, deklaroi Luka Modriç njëherë për media. Në fillim të luftës së Kroacisë, në vitin 1991 ai u detyrua të largohet nga fshati i lindjes, së bashku me familjen. Një hap që e ka forcuar për t’u përballur sot me sukses edhe në konkurrencën e një ekipi si Real Madridi. “El Pony”, siç e quajnë bashkëlojtarët, mban sot në fanellë numrin 10 – një vlerësim i lojërave të mrekullueshme të Modriçit. Luka Modriç është një artist dhe luftëtar me top. Veçoria e lojës së tij – pasimet me pjesën e jashtme të këmbës së djathtë, me një saktësi të jashtëzakonshme në gjatësi prej 30 – 40 metra.
“Lojtari më i mirë kroat i të gjitha kohërave”
Modriç vrapon shumë në fushë, tërë kohën është në lëvizje. Vrapon përpara dhe kthehet pas, mban përgjegjësi për lojën dhe gabon shumë pak me top. Përkundër shtatit jo tepër të lartë, Modriç ka një bilanc shumë të mirë të dueleve dhe një mbikqyrje të lojës. Falë këtyre veçorive dhe sukseseve të arritura gjatë këtij viti, Luka Modriç u shpall lojtari më i mirë në botë dhe ka lënë pas vetes kandiatët e tjerë si Mohamed Salah apo Christiano Ronaldo.
Për yllin e Real Madridit ishte ky edhe një vlerësim tjetër këtë vit. Në Kampionatin Botëror në Rusi, ai u shpall lojtari më i mirë, ndonëse Kroacia humbi finalen kundër Francës. Para pak ditësh ai u shpall edhe lojtari më i mirë në Evropë.
“Luka nuk është vetëm lojtari më i mirë aktualisht, por ai është lojtari më i mirë kroat i të gjithë kohërave”, deklaroi kolegu i tij nga ekipi kroat Ivan Rakitiç, i cili në fushë me Barcelonën është shpesh kundërshtari i tij i rreptë. Luka Modriç ka bindur tani edhe kritikët më të mëdhenj në vend, se ai i takon grupit të lojtarëve më të mirë në botë.
Luka dhe “kumbara”
Luka Mordiç është përballur në Kroaci me procesin kundër vëllezërve Zdravko dhe Zoran Mamic, të cilët atje akuzoheshin për manipulime në sport. Modriç ka qenë dëshimtar në procesin kundër tyre, për kohën kur në vitin 2008 kaloi nga Dinamo Zagreb në Tottenham Hotspur. Në fillim pati deklaruar se ai dhe ish – bosi i Dinamos kanë ndarë paratë, ndërsa më pas e ka tërhequr këtë dekalratë me fjalët se nuk i kujtohen detajet nga kontrata. Në rast se dëshmohet se e ka shkelur betimin, Luka Modriç mund të dënohet deri me gjashtë vjet heqje lirie.
Gjykata në Osijek ishte e mendimit se vëllezërit Mamiç kanë manipuluar me kalimin e lojtarëve në vlerë prej 15 milionë Euro, nga të cilat nuk kanë paguar tatime në vlerë prej 1,6 milion Euro. Fajtori kryesor Zdravko Mamiç konsiderohet nga shumëkush si “kumbara” i futbollit kroat. Por ai i është shmangur vuajtjes së dënimit duke shkuar në Bosnjë-Hercegovinë. Vendimi për dënimin e tij ende nuk është në fuqi.
Dashuria, urrejtja dhe patriotizmi
Modriçi e duan shumë për aftësitë e tij në fushën e blertë. Por paraqitjet e tij në gjykatë i kanë shuar shumë simpatitë ndaj lojtarit më të mirë kroat. Shumë simpatizantë të futbollit nuk kanë mirëkuptim për deklaratat e tij kundërthënëse në procesin kundër vëllezërve Mamiç. Një ditë pas kthesës spektakolare në procesin Mamiç, në vendlindjen e tij Zarë, u nxorrën parulla kundër Modriçit.
Ndaj figurës së Modriçit ekziston një lloj ambivalence. Megjithatë mbizotërojnë euforia dhe krenaria pas sukseseve në Kampionatin Botëror në Rusi. Sportistët në Kroaci konsiderohen kaherë si ambasadorët më të mirë të këtij vendi. Politikanët shpesh thonë për sportin se ai ka një rol qendror për identitetin e këtij vendi. Ndaj sportistëve u falen shpesh edhe gabimet, për shkaqe patriotike.
Fundi i një epoke
Me zgjedhjen e Modriçit si lojtari më i mirë në botë, i jepet fund një epoke të fitoreve të dy futbollistëve: Christian Ronaldo dhe Lionel Messi. Zgjedhja e Modriçit është një sinjal i duhur, përkundër irritimeve rreth deklaratave të tij në rastin Mamic. “Lojtari Modriç simbolizon modernen e futbollit të sotëm”, thonë ekseprtët. “Modriçi nuk është ndonjë lojtar mendjemadh. Ai është në radhë të parë një Teamplayer, zemra e ekipit, motori i tij. Ai ndërlidh pjesët e një ekipi dhe i bën edhe më të mira ato”, thotë Aleksander Holiga, nga portali kroat Telesport. Deutche Welle

Modifikuar më E mërkurë, 26 September 2018 13:17
Login to post comments