Fundjava e Superiores nis që këtë të premte me dy ndeshje mjaft interesante, që për koincidencë do të luhen në dy fusha asnjanëse, për shkak të problematikave me impiantet vendëse. Kështu, në Kamzë, Kukësi do të presë Flamurtarin, ndërsa në “Tofik Jashari” të Shijakut, Teuta luan me Tiranën, takime që do të nisin në orën 14:00. Sezoni i ri Kukësit dhe Flamurtarit erdhi me shumë ndryshime, duke nisur nga stoli e deri tek grupi i lojtarëve. Blutë, që në 10 takime kanë regjistruar 3 humbje, ç’ka nuk është më e mira e mundshme për një skuadër e cila synon titullin, duket se kanë gjetur një ritëm pozitiv pas dy fitoreve të njëpasnjëshme. Tradita flet në favor të verilindorëve, të cilët janë dorëzuar vetëm një herë përballë kuqezinjve në 19 ndeshjet e fundit. Problemet nuk mungojnë për trajnerin Armando Cungu në prag të kësaj sfide, Çyrbja është dërguar tek skuadra e dytë, Maliqi ka kryer stërvitje i diferencuar, po ashtu si Dzaria, ndërsa Shameti, megjithëse u përfshi në përgatitjet e ekipit mbetet në dyshim, pa harruar Rrumbullakun e Musollin, që do të mungojnë më gjatë. Tekniku shkodran do të jetë i detyruar të ketë dy formacione në mendje dhe gjithçka do të vendoset duke parë shpejtësinë me të cilën do të rikuperohen lojtarët e dëmtuar. Ndërkohë që në kampin vlonjat, dënimi i Idriz Bathës nga ana e Komisionit të Disiplinës ka ndikuar në planet e trajnerit Ilir Daja, teksa ka plotësuar numrin e kartonëve Emiliano Musta, ky i fundit pritet të zëvendësohet nga Kotobelli.
Po kaq interesante dhe me rivalitet edhe ndeshja e Shijakut mes Teutës dhe Tiranës, që mbajnë përkatësisht vendet 6 dhe 7, por diferenca mes tyrë është e ndjeshme, plot 6 pikë. Të dyja skuadrat vijnë pas barazimeve me të njëjtin rezultat 1-1, Teuta në fushën e Flamurtarit dhe Tirana në Kamzë. “Djemtë e Detit” në fakt kanë një ecuri shumë më pozitive në tri ndeshjet e fundit, ku kanë marrë 2 fitore dhe një barazim, ndërsa në kampin e bardhebluve është krejt e kundërta, kanë pësuar dy humbje plus pika e marrë në Kamzë. Me largimin e Ze Marias Tirana nuk i ka kapërcyer problematikat e fillmsezonit, madje nëse do të vijojë me këtë ritëm mund të rrezikojë seriozisht rënien, skenar që drejtuesit do të bëjnë të pamundurën që të mos përsëritet. Teuta-Tirana mbetet një përballje e hapur, mes dy ekipeve që kanë objektiva të njëjtë, por presioni më i madh është në radhët e bardhebluve, që duan patjetër maksimumin e pikëve për t’iu larguar pjesës fundore të tabelës.