“Gazzetta Dello Sport”: Kosova, vetëm një pikë larg historisë në futboll

Hënë, 19 November 2018 15:27

Gazeta e përditshme me e madhe sportive në Itali, “Gazzetta Dello Sport” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar kombëtares kosovare të futbollit.

“Një përfaqësuese e zyrtarizuar pak më shumë se dy vite më parë është vetëm një pikë larg suksesit të madh në histori”, shkruan gazeta italiane.

Kosovës i mjafton edhe një barazim ndaj Azerbajxhanit, për të festuar kualifikimin historik në Ligën C në Ligën e Kombeve.

Perla e fundit, fitorja madhështore 5-0 kundër Maltës, e ka ndihmuar këtë skuadër që të ketë një rol protagonisti në këtë kompeticion.

Kosova është ende e pamposhtur në vitin 2018. Mund ta mbyllë vitin pa e provuar shijen e disfatës. Gjashtë fitore, 2 barazime dhe vendi i parë në Grupin C të Ligës D. Kjo ecuri është fryt i tri fitoreve dhe 2 barazimeve: 8 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.

Kaq mjafton për të arritur objektivin, i cili mund të vijë në ndeshjen e ardhshme. Pra, mjafton vetëm një pikë në sfidën që do të luhet në shtëpi kundër Azerbajxhanit për të arritur një sukses të madh, i cili do të thotë shumë, jo vetëm në aspektin sportiv.

Përfaqësuesja e Kosovës është shumë e re. E ndodhur për vite me radhë mes luftës, ndan me shqiptarët gjuhën dhe kulturën. Në Serbi nuk e pranojnë, por tashmë është një realitet, jo vetëm në aspektin sportiv.

Lojtarë të rëndësishëm si Berisha dhe Ujkani janë pjesë e kësaj skuadre dhe përçojnë në të vlerat e jashtëzakonshme dhe eksperiencën e fituar për vite me radhë. Por lojtarët e talentuar dhe të rinj bashkë me ata më të vjetrit formojnë një skuadër të bukur për t’u parë dhe të vështirë për t’u përballuar.

Ka nga ata që mund të veshin fanellën e Kosovës, por edhe nga ata që nuk duan të përballen me të. Ashtu siç bëri Hetemaj disa kohë më parë. Sepse tjetër gjë është të mos luash për Kosovën dhe tjetër gjë të luash kundër njerëzve të tu. Ka nga ata që kishin luksin e zgjedhjes. Ashtu si Milot Rashica, i cili shënoi golin e pestë kundër Maltës. Ishte pjesë e Kombëtares shqiptare, por nuk luajti kurrë asnjë ndeshje në UEFA me fanellën kuqezi. Kjo bëri që të zgjidhte të mbronte atë të Kosovës. e mbyll shkrimin e saj “Gazzetta Dello Sport” 

Login to post comments