Atletico Madrid është skuadra favorite për të fituar trofeun e Europa League të mërkurën, që do të ishte edhe i treti për klubin spanjoll. Madrilenët fituan në vitin 2010 edicionin e parë që kur turneu mori këtë emër duke zëvendësuar Kupën UEFA, si dhe triumfuan sërish në vitin 2012. Gjithashtu në sezonet e fundit, sipas renditjeve të UEFA-s, Atletico ka qenë gjithmonë pas Real Madrid si skuadra e dytë më e mirë e Europës.
Marseja mund të ngushëllohet disi me faktin që finalja luhet në Francë në stadiumin e Lyon. Marsejezët luajnë finalen e tyre të parë evropiane që prej sezonit 2003-2004 kur me Fabien Barthez dhe Didier Drogba në radhët e tyre mundeshin nga Valencia në Kupën UEFA.
Formacionet zyrtare
Marseille: Mandanda, Sarr, Rami, Gustavo, Amavi, Zambo, Sanson, Thauvin, Ocampos, Payet, Germain.
Trajner: R.Garcia
Atletico Madrid: Oblak, Vrsjalko, Godin, Gimenez, Lucas, Correa, Gabi, Saul, Koke, Costa, Griezmann.
Trajner: G.Burgos (Simeone i pezulluar)
Si mbërritën deri këtu?
Pas dy finalesh të Champions League të humbura ndaj Realit në vitet e fundit, këtë sezon Atletico e vazhdoi fazën e dytë në Europa League pasi nuk kaloi do grupin ku luante me Chelsea-n dhe Roma-n. Në Europën e ‘vogël’ ishte e pritshme që Atletico të mbërrinte deri këtu, edhe pse në gjysmëfinale iu desh të mposhte jo pa vështirësi Arsenal-in, një tjetër emër të madh të futbollit evropian. Mbrojtja madrilene ka qenë kyçi i suksesit në kontinent, pasi ka lejuar vetëm 4 gola në 8 ndeshje, ndërsa janë shënuar 17.
Ndryshe nga spanjollët, Marseille e ka nisur sezonin evropian që në korrik në fazën kualifikuese, ndërsa në grupet e Europa League mori vetëm 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Pasi kaloi dy skuadra iberike, Braga dhe Bilbao, në fazat e para me eliminim, mundi “demat” e RB Leipzig dhe Red Bull Salzburg, duke shënuar 16 gola e pësuar gjysmën e tyre gjatë këtij rrugëtimi.
Historia
Edhe ajo flet në favor të klubetve spanjolle. Ato e kanë fituar 10 herë trofeun e Kupës UEFA / Europa League ndërs akant humbur 5 finale. Pa përmendur 17 fitoret e Real e Barcelona në Champions League që shumë shpejt mund të bëhen 18. Ndërsa i vetmi klub francez që e ka fituar Champions është pikërisht Marseille në vitin 1993. Edhe atëherë sezoni i tyre u njollos nga skandali i trukimeve dhe klubi nuk u lejua të mbrojte trofeun. Klubi i fundit francez që ka sjellë një trofe evropian në shtëpi është Paris SG, kur ngriti Kupën e Kupave në vitin 1996. Fitorja e Europa League do të ishte rruga më e mirë për Marseille që të kualifikohet për sezonin e ardhshëm të Champions League, pasi në kampionat renditet vetëm e katërta kur tre vendet e para sigurojnë pjesëmarrjen.
Paratë
Fituesi i finales do të marrë me vete edhe 6,5 milionë Euro ndërsa humbësi 3,5 milionë Euro. Por këtyre shifrave i duhen shtuar edhe shpërblimet e marra gjatë rrugës që kanë bërë skuadrat deri këtu, kështu që të dyja presin të fitojnë nga 15 deri në 20 milionë Euro. Gjithsesi Atletico do të marrë edhe 15 milionë Euro të tjera nga pjesëmarrja në Champions League./EDS/