Teatri/ Regjisori Budina thirrje deputetëve të PS: Reflektoni

Tuesday, 03 July 2018 13:27

Debati mbi projektligjin për ngritjen e kullave në vend të Teatrit Kombëtar po zhvillohet sot në të gjitha komisionet parlamentare. Albana Vokshi, kryetarja e Komisionit të Informimit, e cila e dha lajmin, prezantoi përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët do të dëgjohen me radhë në këtë komision, duke filluar nga Apolon Baçe dhe vazhduar me Elsa Demo, Sokol Angjeli, Robert Buxheku dhe Robert Budina.

Regjisori Robert Budina i ka bërë një thirrje të dëshpëruar, ndërgjegjes së deputetëve të PS-së, për të mos lejuar shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e kullave në truallin e tij.

I thirrur në dëgjesë në komisionin e Informimit, Budina u bëri thirrje socialistëve të reflektojnë.

“Ju bëj thirrje, sidomos mazhorancës, nga ana njerëzore, shikojeni pak më thellë këtë. Se nëse kjo punë do të ishte e sinqertë, do të ishte që para 20 vjetësh. Kjo lëvizje jona është e sinqertë. Ne jemi të bindur pse nuk duhet. Duke qenë se ka mospërputhje, ju ftoj të reflektoni, sepse nuk na bëni neve një nder, por në radhë të parë vetes suaj. Kjo është një lëvizje intelektuale, jo e iniciuar nga partitë dhe ne kemi pasur reagim nga njerëzit.

Ne marrim një vendim se “unë e mendoj kështu” dhe e çojmë deri në fund… Por nuk dua ta ul diskutimin në nivele që nuk na shkon, por ju bëj thirrje: Reflektoni!

Thirrini ndërgjegjes suaj! Ju bëjmë thirrje si qytetarë. Na ndihmoni, ngjallni shpresën tek njerëzit!”

Login to post comments