Shqiptari emigrant, Nertil Qato, 31 vjeç nga Berati dhe që prej 6 vitesh jeton në qytetin e Livornos, ka kryer rreth 2 muaj më parë një gjest heroik duke shpëtuar jetën e një gruaje dhe vajzës së saj 14 vjeçare në një apartament të përfshirë nga flakët e zjarrit.
Sipas rrëfimit të Nertilit, gjithçka ka ndodhur pasditen e së enjtes 28 qershor kur një shpërthim i fortë e ka zgjuar nga gjumi i pasdites dhe ka parë se një apartament përballë pallatit të tij në qendër të Livornos ishte i përfshirë nga flakët e zjarrit,
Menjëherë ka zbritur e ka marrë shkallën në furgonin e tij të punës dhe me anë të saj ka mundur të ngjitet duke shpëtuar nga zjarri fillimisht vajzën 14 vjeçare dhe më pas nënën e saj 57 vjeç.
31-vjeçari shqiptar është pritur nga kryetari i Bashkisë së Livornos, Filippo Nogarin, i cili e ka vlerësuar me një çmim special, duke i kërkuar Prefekturës të përshpejtojë praktikën e marrjes së nënshtetësisë italiane për shqiptarin.
"Një gjest i tillë duhet vlerësuar", ka thënë kryetari i bashkisë së Livornos.
"Kush më kritikon i përgjigjem se nuk duhet të kërkoj leje Salvinit dhe askujt që krahason emigrantët si e keqja absolute. Detyra ime është të vlerësoj qytetarët që ndihmojnë njëri-tjetrin. Nertili ka kryer një gjest mjaft të fortë duke rrezikuar jetën e tij, ka evituar një tragjedi e ka shpëtuar dy jetë. Shoqëria jonë sot ka aq nevojë për shembuj të tillë pozitiv."
Kreu i Bashkisë së Livornos krahason gjestin e shqiptarit me atë të emigrantit nga Mali në Paris që u ngjit nga ballkonet deri në katin e lartë të një pallati për të shpëtuar jetën e një vogëlushi.
Presidenti Macron e nderoi atë me nënshtetësinë franceze.
"Do ishte një sinjal i mirë që dhe në Itali të ndodhte një gjë e tillë", u shpreh numri një i bashkisë së Livornos.
Ndërsa emigranti Nertil Qato për mediat vendase ka thë se "i mjafton falenderimi i thjeshtë dhe se nuk kërkon gjë tjetër.
"Dua veç të punoj pasi prej një viti firma ku punoja me dajën tim ka falimetuar. Më duhet veç punë për të paguar kredinë e shtëpisë ku jetoj."