Kredia bie më tej – 6.5 mld lekë më pak për majin

E mërkurë, 04 July 2018 08:21

Kredia për ekonominë pësoi rënie për të katërtin muaj radhazi gjatë majit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë preku vlerën e 539.5 miliardë lekëve, rreth 6.5 miliardë lekë më pak krahasuar me prillin.

Kredia i është kthyer rënies edhe në krahasimin vjetor, me një vlerë portofoli të kredisë që është rreth 1% më e ulët krahasuar me majin e vitit të kaluar. Miratimi, më në fund, i kredisë së BERZH për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare kishte krijuar një pritshmëri të tillë, duke qenë se kredia në fjalë do të përdorej për mbylljen e ekspozimeve aktuale të KESH në sistemin bankar.

Por, po të shohësh statistikat e detajuara, në fakt rënia e portofolit të kredisë nuk ka ardhur nga kompanitë publike, por ato private. Kredia për biznesin ka rënë me 10 miliardë lekë në një muaj, ndërsa me bazë vjetore kredia për biznesin është tkurrur me 4.8%. Me sa duket, në segmentin biznes ka pasur maturime të kredive që nuk janë rinovuar ose fshirje të mëdha të portofolit.

Në fakt, kredia për biznesin mbizotërohet kryesisht nga kredia afatshkurtër, si paradhënie bankare apo si financim për mjete qarkulluese. Këto kredi maturohen zakonisht brenda një viti dhe kërkojnë një rifinancim të shpeshtë. Kjo mund të mos ketë ndodhur për kredi të veçanta, çka ka sjellë një rënie të madhe gjatë majit.

Rritja vjetore me 4.4% në segmentin e kredisë për individë është e pamjaftueshme për të balancuar rënien në portofolin e biznesit, ku volumet e kredisë janë shumë më të mëdha. Kërkesa e shëndetshme nga sektori privat për kredi është ende e zbehtë dhe ky duket të jetë faktori më thelbësor që po frenon rritjen e kreditimit.

Por, nga ana tjetër, edhe disa zhvillime strukturore që po ndodhin në sistemin bankar nuk e favorizojnë shumë rritjen e kreditimit. Një pjesë e bankave kanë vendosur të largohen nga Shqipëria dhe janë në procesin e shitjes, çka e ka hequr fokusin e tyre nga rritja dhe e ka ulur ofertën për kredi, sidomos mes bizneseve.

Login to post comments