Interesat e bonove të thesarit ranë sërish në ankandet e kësaj jave. Bonot me maturim 12 mujor u emetuan të martën me një interes mesatar të ponderuar 1.71%.
Ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga gushti i vitit 2016. Interesat shënuan rënie për të dymbëdhjetin ankand radhazi dhe që nga fillimi i këtij viti ato kanë rënë me rreth 1 pikë përqindje.
Bonot me maturim 6-mujor u emetuan me një interes mesatar prej 1.36%, nga 1.92% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm. Rënia e interesave është kuptueshme duke parë raportet mes kërkesës dhe ofertës në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë.
Në ankandin e të martës, kërkesat arritën vlerën e 13.3 miliardë lekëve, ndërsa shuma e shpallur për financim nga qeveria ishte 10.4 miliardë lekë. Tregu dhe kryesisht bankat kanë likuiditete të bollshme, edhe sepse kreditimi i ekonomisë po ecën me ritme të ngadaltë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të muajit qershor kredia ra me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar rezultatin më negativ për këtë vit.
Instrumentet e borxhit qeveritar janë alternativa e vetme e investimit për fondet e lira në lekë dhe rënia e kredisë mund të ketë rritur kërkesën e bankave në ankandet e bonove.
Gjithashtu, ulja e normës bazë të interesit në muajin qershor i ka dhënë një sinjal të mëtejshëm tregut për vazhdimin e ciklit të interesave të ulëta në ekonomi.