Konsumi privat në Eurozonë pritet të rritet, duke i dhënë mbështetje rritjes ekonomike pavarësisht trazirave nga jashtë, sipas Bankës Qendrore Europiane. Rritja ekonomike e Eurozonës është ngadalësuar në 2 tremujorët e kaluar, duke rritur shqetësimin se ekspansioni i bllokut, që është tashmë në vitin e 6, mund të përfundojë parakohe.
Megjithatë, Banka Qendrore Europiane argumenton se ngadalësimi vjen kryesisht prej faktorëve të jashtëm dhe se kërkesa e brendshme vazhdon të jetë e fortë dhe krijimi i vendeve të punës gjithashtu.
“Konsumi privat ka qenë nxitësi kryesor i rritjes ekonomike gjatë kohëve të fundit dhe ka ende hapësirë që të mbështesë ekonominë. Ndërkohë që tregu i punës vazhdon të fuqizohet, besimi i konsumatorëve duhet të qëndrojë i lartë dhe konsumi privat gjithashtu”, deklaroi Banka Qendrore Europiane.
Ngadalësimi ekonomik vjen në një kohë të vështirë për institucionin në Frankfurt, ndërkohë që përpiqet të largojë stimujt monetarë. BQE planifikon të përfundojë skemën e blerjes së obligacioneve prej 2.6 trilionë euro në fund të këtij viti, me shpresën se rimëkëmbja ekonomike është mjaftueshëm e fortë për të vazhduar pa suport nga institucioni.
Punësimi në Eurozonë në mbi 107 milionë është në nivel rekord të lartë, megjithatë, papunësia në 8.3% është ende 1 pikë përqindjeje sipër nivelit që ka qenë përpara krizës financiare