Kujdes me shtypjet gabim në kasë, rrezikoni ta pësoni rëndë

Saturday, 08 September 2018 22:23

Bizneset e vogla, që qarkullojnë më pak se dy milionë lekë rrezikojnë të futen në skemën e TVSH-së nëse nuk raportojnë shtypjet e gabuara të kasës fiskale.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka tërheur vëmendjen e të gjithë tatimpaguesve të biznesit të vogël pa TVSH, me qarkullim vjetor nën 2 milionë lekë që të tregojnë kujdes në lidhje me raportimin e shtypjeve gabim të pajisjeve fiskale që kanë në përdorim.

Drejtoria e Riskut në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nga verifikimi i të dhënave të xhirove të raportuara nga pajisjet fiskale, ka konstatuar se shumë subjekte të biznesit të vogël pa TVSH, raportojnë vlera jashtë normalitetit të aktivitetit të tyre, kryesisht si pasojë e shtypjeve gabim të pajisjeve fiskale.

Administrata Tatimore, bën me dije se është detyrim i tatimpaguesve që të reklamojnë të gjitha shtypjet gabim të pajisjeve fiskale pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ku subjekti ushtron aktivitetin, sipas procesverbalit përkatës.

Login to post comments