Policia italiane e Milanos ka vënë në pranga një 35 vjeçar shqiptar me akuzën e trafikut të drogës të tipit heroinë.
Në zotërim të tij janë gjetur rreth 2.5 kg heroinë e 6 kg lëndë përzierje për përgatitjen e dozave të drogës.
Gjithashtu në banesën e shqiptarit është zbuluar një laborator i vërtetë përpunimi heroine.
35 vjeçari shqiptar nuk ishte i skeduar më parë nga policia italiane.
Prej muajit qershor, policia italiane ishte vënë në gjurmët e trafikantit shqiptar i cili rezulton i martuar në Shqipëri e me qëndrime të shpeshta në qytetin e Milanos.
Pas një kontrolli rrugor në çantën e 35 vjeçarit shqiptar është gjetur 1 kg e gjysëm heroinë e konfeksionuar në dy pako.
Ndërsa në banesën e tij është zbuluar një laborator i vërtetë heroinë ku është sekuestruar një tjetër sasi droge prej 1 kg e gjysmë heroinë, instrumentat për përgatitjen e saj si dhe rreth 6 kg lëndë përzierëse.
Gjithashtu 35 vjeçarit shqiptar i janë sekuestruar dhe 8 mijë euro cash.
Dozat e heroinës të përgatitura nga shqiptari shiteshin më pas në një zonë pyjore të Milanos e frekuentuar nga përdoruesit e drogës.
Sipas policisë italiane, 35 vjeçari shqiptar mund të jetë anëtar i një grupi trafikatësh me bazë në Shqipëri, me detyrë punëtor i specializuar në përgatitjen e heroinës
dhe shitjen e saj në Itali.
Sipas raportit të fundit të Drejtorisë së Antidrogës italiane, Shqipëria vazhdon të luajë një rol parësor në rrugën ballkanike të trafikut të heroinës në Itali e me pas në Europë.