Rënie drastike të temperaturave e deri tek reshjet e para të dëborës në male. Është ky parashikimi i meteorologëve për këtë javë që sapo ka nisur.
Kështu, sipas Meteoalb, kjo javë sjell rënie të theksuar të temperaturave në të dy ekstremumet termike të ditës.
Vlerat minimale në rang territori ulen deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimumet nga 34 gradë që ishin gjatë ditëve që lamë pas, do të ulen në 25-26 gradë Celcius.
Rënia e temperaturave do të ndihet më shumë gjatë natës. Sipas ekspertëve, ato do të ulen në mënyrë të theksuar gjatë mbrëmjes së të hënës dhe vijojnë të martën, të mërkurën dhe të enjten.
Madje në zonat e thella malore, termometri do të zbresë edhe në 0 gradë Celcius.
Megjithatë, kjo situatë do të zgjasë deri të premten, pasi nga kjo ditë e në vijim do të ketë sërish rritje të vlerave termike.
Ajo që për ekspertët paraqitet problematike është shpejtësia e erës, sidomos gjatë orëve të vona të pasdites të së hënës, të martën dhe pjesërisht të mërkurën.
Sipas parashikimeve, shpejtësitë maksimale të erës do të arrijnë mbi 80 km/h në zona të veçanta, kryesisht në veriperëndim dhe luginën e lumit Drin.
Ndërkohë Europa Veriore dhe Qendrore është goditur gjatë orëve të fundit nga stuhia e fuqishme “Fabienne”, që ka shkaktuar të paktën një viktimë dhe disa të plagosur në Gjermani.
Erërat e forta arritën një shpejtësi mbi 100 km/orë, duke sjellë me vete reshje të dendura shiu, përmbytje, dhjetëra aksidente rrugore, banesa të dëmtuara. Stuhia ka mbërritur deri në Zvicër, ku autoritetet thonë se ajo mund të marrë përmasat e një uragani.