Në Fier janë sekuestruar 1 milion euro pasuri e paluajtshme të përfituara, pasi janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Kjo pasuri i është sekuestruar Vangjel Ziajt.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, gjurmimit, gjetjes, sekuestrimit me qëllim konfiskimi të aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, është hapur procedimi penal i regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga Neni 287 i Kodit Penal për hetime të pasurisë së shtetasit Vangjel Ziaj (Arben Gropa).
Në përfundim të veprimeve të kryera, nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u zbatua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për sekuestro preventive në lidhje me pasuritë e shtetasit:
– Vangjel Ziaj, 50 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas është dënuar nga autoritetet italiane me 32 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Trafiku i narkotikëve” dhe është duke vuajtur dënimin në Itali.
• Pasuritë e sekuestruara kapin vlerën e 1 milion euro:
• Kompleks shërbimesh “Pelikani” i ndodhur në lagjen “Sheq i Madh” Fier.
• Një apartament me sipërfaqe 70 metra katror në lagjen “Kryengritja e Fierit”.
•Një automjet i markës “Benz”.
Vijon puna për identifikimin e pasurive të tjera që mund të ketë ky shtetas dhe personat e lidhur me të.