Nëse Italia do të realizonte një referendum për të dalë apo për të qëndruar në Bashkimin Europian, me shumë mundësi shumica do të votonin për të dalë, ashtu si në rastin britanik. Një sondazh i realizuar në vendet europiane e nxjerr Italinë si vendin më problematik në këtë drejtim.
Referuar sondazhit të fundit të Eurobarometrit të realizuar në periudhën 8 deri me 26 shtator 2018 nga “Kantar Public” në vendet anëtare të BE-së, rezulton se vetëm 44 % e italianëve do të votonte për të qëndruar në Bashkimin Europian.
Në vendet e tjera, mesatarja e votës pro qëndrimin në BE është në nivelin 66 %, me një diferencë të madhe nga Italia. Kjo konsiderohet edhe si e dhëna me negative, edhe përballë rezultateve të dala nga sondazhi në Britani që ëhstë në proces dalje pas referendumit, ku tashmë 53 % janë pro qëndrimit.
“Ilsole24ore” raporton se ndërkohë, Italia ka një përqindje të lartë të pavendosurish 32 % që sërish është me e larta nga të gjitha vendet e unionit europian. Në vendet e tjera, të pavendosurit janë në nivelin 17 %.
Por ndryshe nga sa ndodh me qëndrimin që italianët kanë për Bashkimin Europian, për monedhën e përbashkët euro, italianët kanë një qëndrim pozitiv. 65 % e tyre janë shprehur në favor të saj.