Nga Luçiano Boçi
Banorët e lagjeve Baltaver, e Cogollarëve dhe Polis i vogël, në njësinë administrative Shushicë të Elbasanit, me vite rresht kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë dhe të Bashkisë për ndërtimin e pritave devijuese në lumin Shkumbin.
Ujërat e tij kanë përpirë dhjetra hektarë tokë buke e pyje, duke i kthyer ato në zallishte.
Banorët po u humbasin të vetmin burim jetese, por askush nuk i dëgjon dhe vjen në ndihmë.
Ndërkohë në zyrat e shtetit, i tregojnë me qesëndi një letër-karton, sipas të cilit Shushica na qenka zgjedhur si nje nga 100 fshatrat turistikë.
Një përqeshje gjigande kjo.
Premtimet kanë qenë të bujshme, por asnjë nuk është mbajtur.
Të lënë në harresë e në mëshirë të Shkumbinit, sot ata bëjnë apelin e fundit në prag të shirave dhe përmbytjeve që me siguri do të arrijnë deri tek pragu i shtëpisë.
Nuk mjafton vetëm kjo.
Atyre i shtohet dhe gjendja dramatike e rrugës së rrëmbyer nga lumi.
Fëmijët e lagjeve, duhet të bëjnë një orë e gjysëm në këmbë që të arrijnë shkollën, në shi, në diell, me rrugë e pa rrugë.
Transporti falas i Linditës e Ramës nuk funksionon si në shumë zona.
Jeta e tyre është një bashkësi vuajtjesh, mundimesh, dramash nga e cila, sipas dhe bindjes së vetë banorëve, dilet vetëm me protesta!