Është mbyllur protesta e banorëve të Astirit, të cilët edhe sot kanë mbledhur firmat për peticionin drejtuar Kryeprokurores së Përkohshme së Përgjithshme, Arta Marku.
Protesta e organizuar për nesër nga banorët do të jetë pa afat. Madje ata do të ngrejnë edhe çadra, si formë qëndresë kundër vendimit të shembjeve të shtëpive, në kuadër të ndërtimit të projektit të Unazës së Madhe.
Kujtojmë që banorët u kanë nisur edhe një letër kryeprokurores Marku, ku i cilësojnë si kriminale veprimet e zyrtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Bashksisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor dhe ALUIZNI-t. Letra, që u firmos mbrëmë gjatë protestës në mbrojtje të shtëpive nga prishja pa dëmshpërblim, synon të vërë në lëvizje organin e akuzës për të ndaluar atë që banorët e quajnë “dëbim me forcë”. Banorët i shpjegojnë me detaje kryeprokurores veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore që nga shenjimi me kryq i shtëpive nga persona të paidentifikuar deri tek lajmërimi me gojë se banesat e tyre do të prishen për shkak të një projekti të panjohur më parë.
“Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës.”- thuhet në letrën e banorëve për Arta Markun.