1.2% e shqiptarëve në moshë pune kontribuojnë sot për një pension privat. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i kontribuesve në fondet private të pensioneve ka arritur në më shumë se 24 mijë në fund të shtatorit të këtij viti. Në raport me numrin e shqiptarëve në moshë pune, mes 15 dhe 64 vjeç, tashmë numri i kontribuesve e ka kaluar pragun e 1%. Sigurisht që kjo ngelet ende një shifër shumë modeste krahasuar me ekonomitë e zhvilluara, megjithatë numri i kontribuesve është në rritje. Sipas AMF-së, që nga fillimi i vitit, numri i kontribuesve është shtuar me rreth 3400 individë ose 16%.
Rritja e numrit të anëtarëve po udhëhiqet kryesisht nga fondi Credins Pensions, që po promovon rëndësinë e investimit në një pension privat edhe përmes rrjetit të kompanisë mëmë, Credins Bank. Credins Pensions ka arritur në afro 15 mijë kontribues dhe mban mbi 60% të tregut, sipas numrit të anëtarëve.
Investimi në një pension privat nxitet edhe me disa stimuj fiskalë, duke ofruar një zbritje të pjesshme nga taksat. Sipas ligjit, këto kontribute përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prej vitesh po kërkon nga qeveria rritjen e incentivave fiskale, me qëllim zgjerimin e këtyre skemave në më shumë kontribues.
Në volume, tregu ende ngelet në përmasa modeste, por me rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Totali i aktiveve të fondeve të pensioneve në mesin e këtij viti arriti në rreth 2.2 miliardë lekë, me një rritje me më shumë se 26% që nga fundi i vitit 2017. Për nga totali i aktiveve, kompania më e madhe është Sigal Pensions, me afro 48% të tregut.